Kombëtarja e Kosovës në futboll po kryen përgatitjet e fundit në krye me trajnerin e ri Franco Foda, për dy ndeshjet miqësore të marsit, e ku në grumbullim është sulmuesi në formë fantastike, Albion Rrahmani, që u shpreh i lumtur që është përsëri me Dardanët, duke potencuar faktin se është i gatshëm të japë 100% nga vetja.
Rrahmani ishte i grumbulluar edhe më parë me Kosovën, por në paraqitjen e tij pësoi dëmtim që e la për më shumë se një muaj jashtë fushës edhe me skuadrën e tij të re asokohe, Rapid Bukuresht, por ai u kthye në formë edhe më të lartë.
“Jam i lumtur që përsëri jam pjesë e Kombëtares, pasi siç dihet kam pasur një lëndim të rëndë, jam kthyer në formën time më të mirë të mundshme dhe jam i gatshëm të jap 100% për Kombëtaren tonë.”
Tutje sulmuesi llapjan foli për dy miqësoret, ku tha se janë shumë të rëndësishme për t’u njohur fillimisht për trajnerin dhe se rezultatet pozitive do të ishin një forcë shtesë për ndeshjet e shtatorit pastaj.
“Janë ndeshje shumë të rëndësishme edhe pse janë miqësore, por do të na shërbejnë që ta njohim më shumë trajnerin, taktikat e tij dhe të adaptohemi me bashkëlojtarët me këto taktika të reja, dhe shpresoj se do të dalim me rezultat pozitiv, sepse do të jetë shtysë e madhe për ne që në shtator të jemi sa më të gatshëm.”
Kujtojmë se Kombëtarja e Kosovës zhvillon dy miqësore këtë muaj, fillimisht në udhëtim te Armenia më 22 mars, ndërsa pas katër ditësh, më 26 mars udhëton për t’u përballuar me Hungarinë, kombëtare kjo që luan në EURO 2024.