Javën e ardhshme për pesë ditë në qytetin e Vlorës do të mbahet turneu “Final 8” i Ligës Unike në konkurrencën e meshkujve.
Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në pallatin e sportit “Flamurtari” në Vlorë, ku do të paraqiten katër skuadra nga Superliga e Kosovës dhe katër nga ajo e Shqipërisë.
Kosovën në “Final 8” të Ligës Unike, do të përfaqësojnë katër skuadrat e para të edicionit të shkuar në Superligë, Peja, Trepça, Sigal Prishtina edhe Golden Eagle Ylli. Ndërkohë, Shqipëria do të përfaqësohet nga Tirana, Teuta, Besëlidhja dhe Kamza Basket.
Në ndeshjet çerekfinale që do të luhen më datat 27 dhe 28 mars, do të ketë përballje të ekipeve kosovare me ato shqiptare. Dueli i parë do të jetë ai mes Trepçës dhe Kamza Basketit prej orës 16:00, ndërsa prej orës 19:00 do të përballen Tirana me Yllin.
Një ditë më vonë, do të luhen duelet tjera çerekfinale: Peja – Teita (16:00) dhe Besëlidhja – Sigal Prishtina (19:00).
Në gjysmëfinale do të takohen fituesit e ndeshjeve çerekfinale Trepça/Kamza Basket e Peja/Teuta, si dhe Tirana/Ylli e Besëlidhja/Prishtina.