Krahasimi i këtyre të dhënave me të njëjtat e sezonit të kaluar tashmë është bërë i pamëshirshëm. Më mirë të qëndrojmë të kapur pas vitit aktual, edhe sepse po flasim për një numër të destinuar të rritet më tej. Është shifra e prodhimit ofensiv të sjellë në Milanon kuqezi nga të ardhurit e verës së kaluar, e cila po merr përmasa vërtet domethënëse.
Fytyrat e reja, që nuk janë më të reja, i kanë dhënë një shtysë vendimtare “Djallit” për sa i përket golave dhe asisteve. Nga 77 golat e shënuar nga Milani në të gjitha turnetë, 40 mbajnë firmën e atyre që po kalojnë sezonin e parë të karrierës te “Milanello”. Nuk duhet një matematikan për të vënë re se kjo është më shumë sesa gjysma e golave. Pikërisht 51.9 për qind. Më pas është edhe pjesa e asisteve, e cila gjithashtu nuk është e papërfillshme duke qenë se pasimet fituese janë 16.
NGA RRËNOJAT – Duke u rikthyer te golat, edhe ndeshja në Verona nuk ishte përjashtim pasi u hap nga “i dyshuari i zakonshëm” Hernandez dhe u fut në kasafortë nga Pulisiç dhe Çukvueze. Zakon ngushëllues dhe risi e këndshme. Nga skuadra që zbarkoi te kuqezinjtë në verën e 2023, amerikani është deri tani më produktivi: 12 gola sezonal (pa penallti) të shpërndara në po aq ndeshje, golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit pas Zhirusë (14), plus 8 asistime. Rilindje totale për 24-vjeçarin, i ngritur nga hiri i Londrës. Pas tij, emri që nuk e priste askush. Ruben Loftus-Çikk me 9 topa në rrjetë deri në këtë pikë të sezonit. Edhe për të, e njëjta gjë si Pulisiç: u kthye në futboll pas vështirësive me Çelsin. Anglezi po godet shpesh si për shkak të rritjes eksponenciale të vetëbesimit, por edhe për shkak të rolit mjaft sulmues të krijuar për të nga Pioli. Në karrierën e tij ai ka shënuar vetëm një herë më shumë sesa po bën aktualisht: 10 gola me Çelsin në sezonin 2018-19, ndërkohë që në çdo sezon tjetër nuk i ka kaluar asnjëherë dy golat.
REFLEKTIME – Një shkallë më poshtë, në 8, gjejmë Luka Joviçin. Sigurisht, ai është një qendërsulmues roli, por angazhimi i tij nuk ka qenë padyshim i mundimshëm dhe në fakt ajo që bie në sy është goli mesatar. Një në çdo 121 minuta, duke qenë se, nëse mbahet, do të jetë në gjendje të ndikojë drejtpërdrejtë në reflektimet verore të klubit. Okafor, një tjetër rezervist, gjithashtu krenohet me një mesatare të mirë: 5 gola të shpërndarë në 775 minuta, ose një në çdo 155. Së fundi, dy emra me 3 gola: Reijnders dhe Çukvueze. E njëjta shifër, me rendimente shumë të ndryshme, holandezi është një shtyllë e mesfushës, por me të metën që nuk është në standardin e teknikës së tij kur afrohet portës. Ai mund të kishte shënuar lehtësisht dyfishin sepse për të goditur nuk kursehet. E njëjta gjë vlen edhe për nigerianin, i cili merr duartrokitje të forta kur shënon, bën vetëm gola të bukur, por deri më tani ka qenë shumë i paqëndrueshëm. Dy muajt e fundit duken si shans i artë për t’i bërë të gjithë të mendojnë ndryshe për cilësitë e tij.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL