Frank Lampard refuzon propozimin e Federatës së Futbollit të Kanadasë për të marrë drejtimin e kombëtares. Kanadaja, një nga vendet organizatore të Kupës së Botës 2026 së bashku me Amerikën dhe Meksikën, synonte të emëronte në krye të kombëtares një emër prestigjioz si ish-mesfushori i Chelseat.
Por, bisedimet nuk janë mbyllur pozitivisht me “The Telegraph” që bën të ditur se Lampard e ka refuzuar Kanadanë. Ndërkohë, vetë 45-vjeçari shprehet se po e shijon këtë periudhë pushim bashkë me familjen e tij ndërsa shtoi se po pret ofertën e duhur për t’u rikthyer në detyrë.
“Po e shijoj këtë periudhë me familjen dhe jam në pritje për t’u rikthyer sërish në detyrë. Shpresoj që të vijë një ofertë e cila të më krijoj ndjesi pozitive, mezi pres të rikthehem, por e theksoj se këtë periudhë me familjen po e shijoj në maksimum.
Mua më pëlqen shumë profesioni që kam zgjedhur dhe jam i lumtur për të gjitha eksperiencat e deritanishme. Kanë qenë tepër sfiduese dhe unë e shijoj kur punoj për të përmirësuar lojtarët. Të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, u shpreh Lampard.