Kukësi ndodhet në vendin e fundit të renditjes dhe misioni mbijetesë për verilindorët bëhet gjithnjë e më e vështirë javë pas jave. Skuadra kuksiane është aktualisht 12 pikë larg Laçit që është në zonën e shpëtimit dhe 11 pikë nga Teuta e play-out. Të besuarve të Devollit do u duhet një mrekulli për të arritur qëndrimin në elite e në të tilla kushte fokusi më i madh i kuksianëve do të jetë Kupa e Shqipërisë.
Verilindorët kanë fituar 2-0 në gjysmëfinalen e parë me Tiranë dhe të mërkurën e ardhshme në kryeqytet do synojnë të festojnë kualifikimin për në finale për të pestën herë në histori.
Mund të jetë një javë paradoksi për kuksianët, të cilët brenda një jave mund të shkojnë në finale për një trofe dhe mund të derdhin lotët e rënies nga kategoria.
Fitimi i Kupës do i jepte të drejtën e pjesëmarrjes në Europë, po mbi të gjitha do të arkëtonte disa të ardhura të rëndësishme për sezonin e ardhshëm.
Gjithsesi, në Kukës besojnë shumë se munden që kapitullin e artë të historisë së elitës për 12 vite me radhë mund ta mbyllin me një trofe, që do ishte I pesti I rëndësishëm për ta që nga viti 2012, kur zbarkuan në Superiore.