Tifozi kosovar i Bayern Munich, Petrit Sadriu është mjaft optimist se skuadra e tij e zemrës mund të triumfojë sonte ndaj Arsenalit në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.
Bavarezët mirëpresin sonte “Topçinjtë” me fillim nga ora 21:00, në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Ballafaqimi i parë mes dy skuadrave përfundoi me barazimin 2-2 në Emirates.
Sadriu thotë se Bayern Munich do ta ketë vështirë, por i jep përparësi ekipit gjerman, sepse kanë fokusin vetëm në këtë garë (Ligën e Kampionëve).
“Padyshim se ndeshje sonte kundër Arsenalit do të jetë shumë e vështirë dhe jo sikurse ndeshjet e fundit, që kemi pasur ndërmjet vete në të kaluarën ku Bayerni ishte dominant. Fokusi i Bavarezëve këtë sezonë qe disa javë është pikërisht vetëm tek gara e Ligës së Kampionëve pasi tashmë edhe Bundesliga ka kampionin e ri, Bayer Leverkusenin. Nëse i shikojmë ndeshjet e Bayernit në këtë sezonë në Ligën e Kampionëve kemi pasur rezultate shumë të mira, përjashto këtu ndeshjen e parë në Romë kundër Lazios. Andaj besoj se lojtarët e Bayernit do jenë të fokusuar sonte dhe do bëjmë çmos, që të arrihet gjysmëfinalja”, tha fillimisht Petrit Sadriu për ‘GazetaBlic Sport’.
Sadriu gjithashtu është optimist se Bayern Munich mund ta fitojë sivjet titullin e shtatë të Ligës së Kampionëve në ‘Wembley’ të Anglisë.
“Suksesi dhe triumfi jep energji pozitive dhe me kalimin në gjysmëfinale, atëherë gjithçka është e mundur. Për dallim nga Arsenali, Real Madrid ose Manchester City, Bayerni ka vetëm një fokus dhe ai është i koncenturar vetëm në garën Champions Leagues. Bayerni asnjëherë nuk duhet të konsiderohet si outsider në ndonjë garë edhe pse këtë sezonë në Bundesligë ka pasur ndeshje mjaft të dobëta. Por pasi që bëhet fjalë për një kompeticion krejt tjetër, ku Bayerni ka 6 tituj të fituar, besoj shumë edhe në titullin e 7 në Wembley”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/