Barcelona njoftoi këtë të premte se do të ndëshkojë tre tifozët që u ndaluan nga autoritetet franceze për shkak të sjelljes raciste, të ndodhur gjatë ndeshjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër PSG.
Sipas deklaratës së lëshuar nga klubi, Komiteti i tij Disiplinor do të revokojë statusin e anëtarësimit të dy prej tifozëve në fjalë, duke shtuar se “shoqata e tifozëve u informua për një të pandehur të tretë, të cilit iu ndalua aksesi në biletat e Barcelonës”.
Në të njëjtin shënim, klubi katalanas i konsideron “faktet e raportuara” si “shumë serioze”, duke justifikuar kështu pezullimin e menjëhershëm të personave të hetuar për përshëndetje naziste dhe fyerje raciste. Dënimi do të zgjasë deri në përfundimin e hetimit të brendshëm, “i cili mund të zgjasë deri në tre muaj nga hapja e çështjes”.
Kujtojmë që culét u dënuan nga UEFA me 32 mijë euro gjobë dhe nuk do të mund t’i çojnë tifozët në ndeshjen e radhës jashtë fushe në Champions League.
/GazetaBlic Sport/