Nëse në vitin 2021 nuk do të ishte e mundur të merrte përqafimin ideal të mijëra tifozëve përreth Milanos për shkak të kufizimeve të diktuara nga pandemia e Coronavirus, tani nuk do të ketë asnjë pengesë për Interin, i freskët nga fitimi i yllit të dytë. Për më tepër, zikaltërve iu desh të vuanin talljen e mëtejshme të festimeve të Milanit një vit më vonë, e mundësuar nga mungesa e rregulloreve të rrepta shëndetësore.
Nesër, në fund të ndeshjes Inter-Torino, do të nisë parakalimi mbi një autobus të hapur në qytet, i cili do t’i lejojë zikaltrit të shpagojnë mungesën e festimeve të tri viteve më parë. Në shenjë nderimi për titullin, Juric dhe lojtarët e Torinos do të bëjnë për kundërshtarët zikaltër të famshmen “pasillo de honor”. Duke qëndruar në dy rreshta, ata do të duartrokasin kampionët e rinj të Italisë, teksa hyjnë në fushë. Një nderim që zikaltrit e morën edhe nga Sampdoria e Claudio Ranierit në vitin 2021, pasi fituan trengjyrëshin. Diçka të tillë, edhe vetë Interi e rezervoi për Milanin më 23 dhjetor 2007, përpara një derbi të fituar me përmbysje falë golave të Cruz dhe Cambiasso.
Pas bilbilit të fundit të ndeshjes kundër Torinos (fillimi i së cilës është caktuar nesër, në orën 12:30), vëmendja do të zhvendoset tek autobusi me çati të hapur, që do ta çojë Interin nga “San Siro” në “Duomo”. Një itinerar 8 km për të cilin, duke llogaritur ritmin e ecjes, do të nevojiten 4 orë. Nisja në orën 16:00 dhe mbërritja pritet në orën 20:00, me lojtarët që do të prezantohen një nga një nga folësi Mirko Mengozzi në “Tarrace 21”.
Në realitet do të ketë dy autobusë. Përveç autobusit më të shumëpritur të lojtarëve dhe stafit, tjetri do të rezervohet për pjesën tjetër të ekipit. Sipas asaj që raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, mbi 50 mijë tifozë të Interit priten në rrugët e Milanos, të cilët do të përshëndeten nga autobusët e hapur. Një turmë e vërtetë do të presë Lautaro dhe shokët e tij, të cilët do të jenë kështu në gjendje të përjetojë në mënyrë të drejtpërdrejtë ngrohtësinë e tifozëve zikaltër. Titulli i yllit të dytë do të festohet në mënyrën më të mirë edhe më 19 maj, kur në fund të Inter-Lazio, trofeu do t’i dorëzohet kapitenit Lautaro nga Lorenzo Casini, president i “Lega Serie A”. Fusha e “San Siro” më vonë do të presë edhe një koncert, ku do të performojnë disa artistë të njohur.
PANORAMASPORT.AL