Barcelona po përgatit terrenin për largimin e Çavi Hernandez nga drejtimi i skuadrës, por kërkon që menjëherë të qetësojë tifozët e trazuar me emrin e trajnerit të ri. Dhe duhet të jetë një emër që i bind të gjithë, ndaj në ditët e fundit drejtori sportiv Deko ka qenë në udhëtim në Europë duke takuar kandidatë të ndryshëm.

E përditshmja katalanase “Sport” bën të ditur se bashkë me Bojan Krkiç, i cili është pjesë e stafit të tij, ai ka udhëtuar së fundmi drejt Londrës për të takuar Hansi Flik. Ai prej kohësh është një prej emrave më të lakuar në radhët e Barcelonës dhe tashmë palët do të takohen në këtë mesjavë për të diskutuar detajet e mundshme të një marrëveshje.
Sipas mediave spanjolle, problemi i Flik është ekonomik, pasi kërkon një pagë të lartë, meqë ka qenë më parë trajneri i Bajern Mynih dhe Gjermanisë. Ofertat për gjermanin nuk mungojnë, sidomos nga Anglia, ndaj ai është në një pozicion të favorshëm për të negociuar me Barcelonën e cila e sheh si një zgjidhje ideale për ndërtimin e një cikli fitues me të, gjithmonë nëse gjen gjuhën e përbashkët.
PANORAMASPORT.AL