M e Champions-in e 15-të të vendosur në palmares dhe të festuar, sytë e futbollit spostohen më 14 qershor. Mes Berlinit dhe Majemit, ku do të startojnë Kampionati Europian dhe Kupa e Amerikës. Në 8.050 kilometra distancë do të ketë spektakël.
Dy turne që do ta lënë Realin e Madridit të boshatisur këtë verë. Kilië Mbape do t’i shtohet listës së 12 lojtarëve që do të udhëtojnë në Kontinentin e Vjetër dhe Endrikut që është madrileni i pestë që do të jetë në SHBA. Në total, 18 janë “ushtarët” e Ançelotit në kërkim të lavdisë. Pasi festuan trofetë në “Sibeles” dhe Bernabeu, nisin tani aventurat me kombëtaret. Në Europuian do të jenë Karvahal, Naço dhe Hozelu me Spanjën, Modriç me Kroacinë, Bellingham me Anglinë, Kros dhe Rydiger me Gjermaninë, Kamavinga, Tçuameni dhe Mendi do t’i bashkohen Mbapesë në qendrën stërvitore në Francë. Lunin do të mbajë veshur fanellën e Ukrainës dhe Gyler me Turqinë. Ndërkohë që në avionin amerikan kanë hipur: Valverde, Militao, Rodrigo dhe Vinicius për t’ju bashkuar Endrikut që u largua mes lotësh nga Palmeiras. Vetëm Kurtua, Kepa, Alaba, Fran Garsia, Vaskez, Sebajos dhe Brahim Diaz janë duke shijuar pushimet.
TOPI I ARTË- Gjatë këtyre ditëve kanë qarkulluar shumë zëra, por me kalimin e kohës do të ketë një qasje më të qartë për të kuptuar se cili do të jetë fituesi. Pas finaleve të Europianit dhe Kupës së Amerikës do të kemi një ide më të mirë. Vinicius është për momentin favoriti kryesor për të fituar “Topin e Artë”, në sezonin më të mirë të karrierës së tij dhe në një ndeshje fantastike në finalen e Champions-it. Por edhe Bellingham mund të bëhet problem për shokun e skuadrës në rast se me Anglinë bën diçka të çmendur. Toni Kros mund ta mbyllë karrierën gjithashtu në mënyrë magjike, ndërsa Mbape këtë vit është më pak i avantazhuar. Mund të ketë edhe ai një vend të rëndësishëm në podium, por varet nga ecuria e Francës.
GYLER- Një periudhë fantastike dhe speciale do të jetë për talentin Arda Gyler. Në Turqi futbolli jetohet me pasion dhe ai e shijon shumë sa herë është në fushën e lojës. Me 6 gola në 373 minuta ka potencialin për të qenë lider. Është turneu i tij i parë serioz, teksa ka luajtur 6 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol. Turqia nuk shkëlqen në këto kompeticione, por këtë vit ka një ekip të mbushur me talent dhe eksperiencë.
PANORAMASPORT.AL