Pasi një edicion më parë fati dhe lotaria e 11- metërshave i kishte mohuar Gjermanisë Perëndimore të konfirmohej në krye të fronit Evropianit, duke u ndalur kështu përpara Çekosllovakisë, Franc Bekenbauer me shokë rikthehen të marrin vendin që u takonte për epokën. Në Itali ata arrijnë suksesin e dytë duke mundur në finale surprizën e Belgjikës. Edhe pse e lehtë në letër dhe me yje të ri si Rumenige, Alofs dhe Hrubesh, gjermano-perëndimorët hasin disa vështirësi në 90 minutat e fundit, duke siguruar golin që do t’u dhuronte këtë trofe vetëm dy minuta nga fundi i takimit.
Eliminatoret – Italia organizatore e kishte siguruar vendin e saj në fazën finale si rrjedhojë e rregullit të ri të vendosur nga UEFA, ndërkohë që 31 përfaqësueset e tjera u ndanë në 7 grupe, nga të cilat vetëm vendet e para do të avanconin. Surpriza e madhe erdhi nga Bashkimi Sovjetik i cili, ndryshe nga edicionet e tjera ku ishte protagoniste absolute, nuk arriti të kalonte duke iu nënshtruar Greqisë në Grupin 6. Ndërkohë, në grupet e tjera u kualifikuan Anglia, Belgjika, Spanja (eliminoi Jugosllavinë), Holanda, Çekosllovakia (la jashtë Francën) dhe pa dyshim Gjermania Perëndimore.
Finalja – Të teta këto ekipe, ndryshe nga edicionet e mëparshme, u ndanë sërish në dy grupe, nga të cilat Gjermania nuk e diskutoi kualifikimin, ndërsa Italia ngeci për t’i ofruar vendit që ishte tronditur nga skandali i basteve një finale të madhe dhe vendin e saj e zuri Belgjika. Por, sikur të mos mjaftonte, të kaltrit e drejtuar nga Enco Berzot nuk ia dalin të renditen as në vendin e fundit të podiumit, pasi në finalen për vendin e tretë munden 9-8 me penallti nga Çekosllovakia, pas barazimit 1-1 të kohës së rregullt. Ndërkohë, finalja mes gjermano-perëndimorëve dhe belgëve mund të kishte përfunduar edhe ajo të zgjidhej nga penalltitë, por trajneri Jup Derval kishte zbuluar një bomber të ri dhe të pagabueshëm me kokë, Horst Hrubesh, i cili në minutën e 88- të dërgon në rrjetë një krosim të Rumeniges të ardhur nga këndi.
Gjermania, edhe pse kishte kaluar shumë shpejt në avantazh (në minutën e 10-të), sërish me Hrubesh, 15 minuta nga fundi shkaktojnë një 11- metërsh, që mesfushori Rene Vanderejken e transformon në gol. Por Bekenbauer me shokë janë shumë herë më të fortë sesa kundërshtarët e tyre ndaj, dy minuta nga fundi, ata arrijnë të gjejnë edhe golin e fitores, i cili i gëzon dyfish, duke menduar që festa e dytë bëhet në Itali.
PANORAMASPORT.AL