Trajneri i mirënjohur dhe ish futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Debatik Curri ishte i ftuari i kësaj jave në emisionin ‘Blic Interview’ me Astrit Gashin.
Në mesin e shumë temave të diskutuara ishte edhe rasti kur në vitin 2014, ai dhe bashkëlojtarët e tij tek Kombëtarja e Shqipërisë u sulmuan në Beograd.
Ishte një natë e paharrueshme për Currin dhe futbollistët e tjerë, të cilët e përjetuan tmerrin, kur huliganët serbë e pushtuan fushën dhe filluan sulmet fizike.
Curri thotë se ndjesia e një ngjarje që do të përfundonte keq ka qenë që kur kishin arritur në aeroport, gjithmonë për faktin se ai e kishte përjetuar luftën në Kosovë dhe pak a shumë e kishte të qartë se me çfarë njerëzish kanë të bëjnë në Serbi.
“Ndjesia ka qenë qysh prej arritjes në aeroport. Unë personalisht e kam përjetu luftën në Kosovë dhe e kisha idenë në njëfar forme se me kë kemi të bëjmë. Ka qenë hera ime e parë që kam shku në Beograd në atë kohë. Kemi diskutu shumë gjatë rrugës dhe në aeroport, sa i përket situatës, çka mund të na sjellë kjo ndeshje, rezultati, tifozët. Unë i kam paralajmëru se kjo ndeshje mundet edhe mos me u zhvillu, se kam besu që ka me pas provokimeve të mëdha, ashtu edhe doli, e pamë edhe vet si kemi arrit në aeroport, kontrolla të rrepta, pastaj në hotel dhe kur kemi arrit për stërvitje. Ditën e ndeshjes ne shkuam në stadium, kishte gjuajtje shisheve të ndryshme në autobus, ndeshja s’kishte siguri, as barriera nuk kishte. Frikë ka pas se e kemi ditë që janë 30 mijë njerëz në stadium, ne ishim 20 veta. Shumica e kishin kuptuar që ne po shkojmë me lujtë futboll në një vend europian, por disa e kanë ditë që do ketë luftë në njëfar forme, që nuk është vetëm futboll, por është më shumë sesa futboll, që ka shumë urrejtje kundërshtari ndaj nesh, por edhe ne ndaj tyre“, tha fillimisht ai.
Curri vazhdoi duke shpjeguar tmerrin e asaj nate, duke thënë se ishte shumë e vështirë të largohen nga fusha në zhveshtore, duke qenë vazhdimisht të sulmuar.
Ai tregon edhe për kontrollet e gjata dhe të detajuara, me serbët që dyshonin se droni mund të ishte futur nga futbollistët ose ndokush nga stafi.
“Ishte ndeshje siç e keni pa edhe vet, me tension të madh, gjuajtja e tyre, futja e dronit, gjë që ishte edhe një ndjenjë krenarie për atë flamur, për ata persona që ishin aty në flamur, por edhe mbrojtja e simboleve tona kombëtare, të cilët futbollistët e bënë në mënyrën më të mirë, e mbrojtjen me dinjitet, që ishte diçka madhështore. Dalja nga stadium ka qenë shumë e tensionume, u ndërpre ndeshja, u kthyem në zhveshtore, kishim disa dëmtime, derisa edhe delegate I UEFA-s na bëri disa fotografime, për punën e dëmtimeve që I kemi pasur, 4-5 futbollistë, kam qenë edhe unë i goditur në korridorin e stadiumit, aty ka pas edhe persona të sigurimit, por edhe tifozë të thjesht të cilët kanë godit me mjete të ndryshme. Ndeshja u vendos mos me u lujtë – sepse s’jemi gati, pastaj një nga një, Njesia Speciale e kanë kontrolluar zhveshtoren, normalisht me monitorimin tone –sepse mendonim që ata mund të futin diçka dhe të na lënë neve fajtor. Një nga një, çdo futbollist na kanë kontrollu, sepse mendonin që ne e kemi futur dronin, apo atë dirigjuesin e dronit në çantë. Kontrollat ishin të rrepta, kishim frikë edhe në aeroplan kur të hipin, sepse mendimet ishin të ndryshme, si do ngritemi, a do i jepin koordinatat e këqija, apo si. Presioni ishte I madh, por pastaj çdo gjë shkoi mirë, patëm pritje madhështore në Tiranë. Shumë shqetësim tek familjarët tone – të cilët nuk e dishin situatën tone, por pastaj gjithçka u mbyll me pritje madhështore në Tiranë. Ishim si heronj, sikur të ktheheshim pas një lufte të fituar, ishte momenti më i mirë dhe më i lumtur në jetën time që e kam pas“, shtoi tutje Curri.
Krejt në fund, Curri tregon se si trajneri De Biasi i kishte motivuar para këtij takimi me anë të një video të përmbledhur nga krimet e kryera serbe në Kosovë, me vuajtjet e popullit shqiptar nga agresori serb, video kjo që kishte ndikuar maksimalisht në paraqitjen e futbollistëve shqiptarë në fushë.
“Mendoj që faktori kryesor për performancën e ekipes para ndeshjes ishte De Biasi. Në analizë të ndeshjes, trajneri De Biasi nuk është marrë fare me taktikën e lojës, ai ka punu në motivim psikologjik të futbollistëve, e kishte përgatitur një video me momentet e luftës në Kosovë, me vujtjet që populli jonë ku fëmijët, grate, pleqtë kanë përjetu nga agresori serb. Ai na motivoi shumë para ndeshjes, menxi s’prisnim me shku në stadium, qaq shumë e kam prit atë ndeshje. Në ndeshje ne ishim shumë ma mirë se ata, Serbia ishte në presion, momenti kyç për përgatitjen ka qenë kjo video“, përfundoi ai.
/GazetaBlic/