Garet Sauthgejt ka ndërmend që të këmbejë pozicionet e Fill Fodenit dhe Xhud Bellingamit në “Euro 2024”.
Trajneri i Anglisë e di që tifozët janë të shqetësuar sesi do të luajë skuadra e tyre veçanërisht në sulm, ku Foden dhe Bellingam operojnë në të njëjtat linja. Foden pritet që të startojë në krah të majtë, ndërsa Bellingam në rolin e numrit 10, por “The Sun” zbulon se plani i Sauthgejtit është që t’i këmbejë ata gjatë ndeshjes.
“Ka të bëjë se ku ata do të startojnë dhe ku do të përfundojnë. Ky është çelësi. Në mënyrën sesi Xhud po mbronte në të majtë, ai nuk ishte i vendosur në atë rol, por e tillë është loja moderne. Të gjithë kur kanë topin në zotërim janë në një pozicion komplet të ndryshëm. Ti shkruan formacionin në letër, por në të vërtetë ai nuk është kurrë ashtu në praktikë. Ai është vetëm sa për të treguar fletën e formacionit. Xhud po luan çdo sezon shumë lart në fushë për Realin. Në mbrojtje është pak e përzier. Ai ka mbrojtur si një 10 ose sulmues krahu herë pas here”, tha Sauthgejt.
Trajneri i Anglisë ka një numër opsionesh për të zgjedhur se ku ta aktivizojë Fodenin dhe Bellingamin. Sulmuesi i Mançester Sitit shkëlqeu për “qytetarët” pasi luajti në të dyja krahët dhe në qendër këtë sezon, duke u shpallur edhe lojtari më i mirë i vitit. Bellingam fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të La Ligës në një rol ku luan më i avancuar në fushë te Reali, madje shpesh shihet edhe si një 9 false. Për Anglinë, ai ka luajtur pranë Herri Kejnit gjatë muajve të fundit dhe ka treguar instinktin e tij për golin ndërsa shënoi një gol barazimi të vonë kundër Belgjikës në mars. Por ai mund të operojë edhe si numër 8 në rast se Sauthgejt dëshiron që ta aktivizojë Fodenin më në qendër, gjë që mund t’i japë një shans Entoni Gordonit apo Kol Palmerit. Ndërsa yje në ngjitje si Kobi Maino i Mançester Junajtid apo Adam Uarton i Kristal Palasit mund të përfitojnë nëse Fodeni është titullar në njërin prej krahëve.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL