Nga Marçelo Lipi tek Arrigo Saki dhe Dino Xof, duke kaluar tek Antonio Konte, Roberto Donadoni dhe Xhanpiero Ventura. Janë 6 ish-trajnerë të Italisë, të cilët shprehin besimin për një Europian kompetitiv pak ditë përpara fillimit të këtij kompeticioni.Këta trajnerë vlerësojnë kolektivin si “armën” kryesore, ku Italia është mbështetur gjithmonë e jo më tani që nuk ka shumë individualitete, por edhe trajnerin Luçiano Spaleti. Këtë të fundit, në opinionet e shprehura për “Gazetta dello Sport”, 6 trajnerët e konsiderojnë një garanci. Ja çfarë thonë konkretisht këta trajnerë, ku vetëm i madhi Saki është ai që përmend emrin e Shqipërisë, kundërshtarit të parë të kampionëve në fuqi të Europës në Gjermani 2024, Sipas tij të tre kundërshtarët e Italisë në grup duhen marrë në konsideratë:
ANTONIO KONTE “Historikisht zotësia e Italisë është që kombëtarja transformohet në një skuadër klubi. Kështu bëhemi problem për të tjerët. Nëse bëjmë Italinë, jemi të fortë”, thekson Antonio Konte. Dhe nëse e thotë ai… Italia e tij nuk ishte më e mira e historisë, por në Europianin e 2016-ës nuk shkoi në gjysmëfinale vetëm për shkak të penalltive me Gjermaninë. “Në një fazë finale duhet të jemi kompetitivë, të jemi skuadër. Të lexojmë momentin, kemi mundësi të mira teknike dhe një trajner të mirë. Përgatitja jonë tekniko-taktike është superiore. Me Gjermaninë Sturaro u dëmtua që në fillim, por qëndroi në fushë deri në shtesë. Dedikim total. Kjo të bën të shkosh përtej mundësive”, shton konte. Edhe falë trajnerit: “Spaleti është shumë i zoti t’i motivojë lojtarët me fjalët e tij, t’i bëjë të ndjejnë fanellën. Të mos harrojmë se jemi kampionë në fuqi, kemi lojtarë që dinë si fitohet. Për ne është më i rëndësishëm kolektivi. Edhe individualitete kemi, Kieza mund të spostojë ekuilibrat, nëse e kapin ‘një kundër një’: niset në krah, driblon, spostohet në qendër dhe gjuan”.
MARÇELO LIPI “Kam shumë besim te kjo skuadër dhe trajneri”, thotë me buzëqeshje Marçelo Lipi. Finalja e Europianit luhet në Berlin dhe është e pamundur që trajneri italian i botërorit të mos ndiejë diçka speciale. Kanë kaluar 18 vjet. “Gjermania na kujton diçka. Kjo Itali më pëlqen. Kam besim tek inteligjenca dhe aftësitë e Spaletit, i cili e tregoi veten te Napoli dhe jo vetëm. Jemi miq, e di që më çmon dhe unë po ashtu e vlerësoj. Do të bëjë mirë. Italia po rritet dhe do t’i ndjek ndeshjet me shumë entuziazëm. Nuk kam shkuar më në stadiumet e Gjermanisë, ndoshta do të ndodhë në të ardhmen ose në këtë Europian. Forca e grupit bën që protagoniste të jetë skuadra”.
ROBERTO DONADONI “Grupi është shumë i vështirë, por nuk jam pesimist”, thotë Roberto Donadoni, trajneri i Italisë në “Euro 2008”, ku u eliminua me penallti nga Spanja. “E rëndësishme është që të bazohemi te kolektivi, duke parë që nuk kemi individualitete të mëdha Pas një sezoni kaq të vështirë, duhet të dimë të rigjejmë gjendjen fizike. Kjo mund të bëjë diferencën. Por grupi… Do të jetë një test i bukur, do të na tregojë masën e vlerave tona, nëse mund të ecim përpara, siç shpresoj dhe besoj se do të jetë. Duke fituar besim, do të kemi më shumë shanse. Nëse dalim shpejt, do të ketë shumë gjëra për të diskutuar. Spaleti është garanci, rezultatet flasin vetë, ajo që bëri në Napoli është një rritje. Skuadra e tij janë të bukura dhe fituese. Mungon një yll? Lojtarët me më shumë eksperiencë, që vijnë nga skuadrat e mësuara të luajnë në nivel të lartë, si Barela, Donaruma. Ata duhet të udhëheqin grupin, por e rëndësishme është që grupi të jetë i bashkuar”.
XHAMPIERO VENTURA “Uroj që kombëtarja të bëjë sa më mirë në Gjermani. Jam shumë i lidhur me Luçiano Spaletin. E kam pasur lojtar dhe i dua të mirën, uroj me zemër të ketë sa më shumë fat, shpresoj t’i bëjë italianët të ëndërrojnë”, thotë Xhampiero Ventura, trajneri “axurr” me 16 ndeshje në periudhën 2016- 2017. Ai beson te kjo Itali: “Miqësoret kanë pak sens, shpesh janë gënjeshtare dhe jam i sigurt se Spaleti do t’i përcjellë skuadrës mënyrën e tij të lojës. Kam parasysh qëndrimin në fushë me përqendrimin e duhur. Mendoj se Skamaka mund të jetë surpriza. Ka kualitetin për të qenë një nga zbulimet e Europianit. Ka mundësitë për të qenë protagonist. Mes skuadrave favorite, Franca më ngacmon, por unë them: forca Itali dhe forca Luçiano!”
ARRIGO SAKI “Ajo që me jep më shumë qetësi është Spaleti. Besoj se trajneri është një nga më të mirët, i aftë t’u japë stil dhe mënyrë loje skuadrave të tij. E ka treguar me Napolin. Besoj se, nëse lojtarët që ka zgjedhur do ta ndjekin, Italia mund të na dhurojë një surprizë”, shprehet Arrigo Saki trajneri nënkampion bote në “USA 94”, i cili shtyn kombëtaren: “Nuk do të habitesha, nëse Italia do të niste me këmbën te gazi. Do të luajmë së pari me Shqipërinë, pastaj me Spanjën dhe Kroacinë, të gjithë meritojnë konsideratë maksimale, duhet përballuar me seriozitet dhe përqendrim. Jam i sigurt se Spaleti në këtë periudhë ka transmetuar vlerat e tij dhe principet futbollistike. Italia duhet të luajë, të lëvizë dhe të mendojë si një kolektiv. Puna e trajnerit është e komplikuar: ka pak kohë në dispozicion për të përgatitur një turne të vështirë si Europiani, por jam i bindur se Spaleti është njeriu i duhur në vendin e duhur. Atij dhe lojtarëve u uroj shumë fat. Të futen në fushë me dëshirë dhe të vënë në praktikë atë që kanë mësuar. Kështu do të provojmë kënaqësi”.
DINO XOF -Dino Xof ka fituar një Botëror dhe një Europian si lojtar, kurse si trajner i shkoi shumë afër Europianit në 2000-shin, në atë humbje të pabesueshme në finalen kundër Francës me “golden gol”-in e Trezege. “Besoj te kjo kombëtare. Jemi në gjendje të bëjmë gjithmonë gjëra të mira, kur shkojmë në fazat finale. Nuk kam dyshim që këtë do të bëjmë edhe në Gjermani. Jam optimist. Spaletin s’mund ta zbulojmë sot, ka fituar në Itali dhe jashtë, kemi garancinë se do të japë kontribut të madh. Nuk dua të veçoj asnjë, kemi shumë lojtarë të mirë dhe një skuadër të mirë”, ka thënë ish-portieri i shquar italian dhe ish-trajner i “axurrëve”.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL