Alessandro Del Piero konsiderohet si një nga futbollistët më të mëdhenj që ka prodhuar futbolli italian dhe një nga më besnikët e Juventusit.
Ish-sulmuesi legjendar italian qëndroi për 19 vite te Zonja e Vjetër, kur iu bashkua nga Padova në vitin 1993 dhe ishte pjesë e bardhezinjve deri në verën e vitit 2012.
Ai në tre vitet e fundit të karrierës i kaloi në Australi te Sydney FC, por edhe një vit tjetër në Delhi Dynamos në Indi.
Pavarësisht momenteve të vështira të Juventus ku madje ekipi luajti edhe në Serie B, sërish Del Piero nuk i mendoi kurrë seriozisht ofertat nga klubet e tjera dhe sidomos nga Liga Premier.
Së fundmi, 48-vjeçari zbulon se pati ofertë nga Newcastle dhe Manchester United, por i refuzoi ato pasi ndjehej i lumtur te Juventus.
“Kam pasur oferta nga Liga Premier, ishin dy klube; Newcastle dhe Manchester United, por, asgjë nuk ndodhi pasi unë isha kapiten i Juventusit dhe mbi të gjitha isha i lumtur aty”.
“Juventus për mua ishte gjithçka. Isha një tifoz i Juventus që prej fëmijërisë. Nuk isha në kërkim të parave, plus që më paguanin shumë mirë edhe në Torino”.
“Më pas u bëra kapiten dhe qëndrova aty për 19 sezone. Kalova gjithçka aty nga parajsa në ferr, por jam i lumtur për të gjithë eksperiencën time. Juventusi është një histori unike dhe një udhëtim unik për mua”.
“Nuk jam penduar kurrë për zgjedhjet e mia, as për momentin kur vendosa të luaja në Serie B me Juventus. Ishte një zgjedhje e vështirë, por jam i lumtur për vendimin që mora”, deklaroi legjenda italiane.