Komiteti Disiplinor i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) ka dënuar me 12 ndeshje pezullim portierin e Guinesë Ekuatoriale, Owono, pas incidentit tragjik në ndeshjen e kategorisë së dytë, ku futbollisti Jesus de Miguel humbi jetën.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 nëntor, gjatë përballjes në të cilën Owono u ndëshkua me karton të kuq, pasi doli me shpejtësi nga porta drejt mesfushës dhe u përplas me sulmuesin De Miguel, teksa tentonte të largonte një top në ajër.
Pas përplasjes, futbollisti 30-vjeçar u dërgua në spital dhe u vendos në kujdes intensiv, por ndërroi jetë një ditë më vonë, më 3 nëntor.
Në arsyetimin e vendimit, Komiteti Disiplinor iu referua raportit të gjyqtarit, sipas të cilit Owono ishte përjashtuar për goditje të dhunshme me këmbë në gjoksin e kundërshtarit, duke përdorur forcë të tepruar, ndërsa topi ishte në lojë.
Duke marrë parasysh natyrën e veprimit dhe rrethanat e ngjarjes, federata vlerësoi se dënimi maksimal prej 12 ndeshjesh ishte i justifikuar. Krahas pezullimit, ndaj tij do të zbatohen edhe gjobat përkatëse.
Ndërkohë, policia spanjolle ka nisur hetimet për rastin, nën mbikëqyrjen e autoriteteve gjyqësore.
Pas vdekjes së De Miguelit, Owono kishte reaguar përmes një deklarate të publikuar nga klubi i tij, Andorra, duke e cilësuar këtë periudhë si ditët më të vështira të jetës së tij.
“Ndjej një dhimbje të jashtëzakonshme për humbjen e Jesusit. Mendimet e mia janë me të, familjen e tij dhe të gjithë ata që e kanë dashur”, kishte shkruar portieri.
Trajneri i Andorrës, Carles Manso, ka deklaruar se do të jetë vetë Owono ai që do të vendosë nëse dhe kur do t’i rikthehet futbollit pas kësaj ngjarjeje tragjike.