Kohët kanë ndryshuar. Për rinovimin e një kontrate, fjala e dhënë kishte më shumë rëndësi sesa shifrat dhe bonuset. E tregon legjenda e Interit, Havier Zaneti.
“Mjaftonin pak minuta, thjesht flisje me presidentin dhe e gjeje menjëherë marrëveshjen. Gjithmonë ka qenë dëshira për të vazhduar së bashku. Sa iu përkiste shifrave merrej trajneri im. Por edhe atij nuk i janë dashur shumë takime për ta arritur këtë. Paratë nuk kanë qenë kurrë problem dhe nuk do të jenë kurrë për mua”, ka thënë Havier Zaneti.
Pas fitores së Champions-it Milito bëri një deklaratë të nxituar dhe që në fund u mbyll me një falje. Sa të rëndësishëm ishit ju dhe Kambiaso në këtë histori?
Është e vërtetë që ne i thamë që nuk ishte momenti për të folur për çështje të tilla pasi sapo kishim fituar Champions-in dhe duhet ta festonim atë. Por jemi vëllezër dhe miq të mirë. Ai e kuptoi menjëherë gabimin dhe kërkoi falje. Diego është një person shumë pozitiv në të gjitha aspektet dhe atë ditë foli paksa i nxituar.
Lautaro u soll si një kapiten i vërtetë dhe bëri një hap pas për të rinovuar me Interin. Kishit frikë se mund të largohej?
Jo. Kurrë nuk kam pasur frikë sepse e njoh Lautaro Martinezin. Ai bashkë me familjen e tij ndihet shumë mirë në Milano ku është i dashuruar nga tifozët. Pastaj sigurisht që ka tratativa në këtë histori dhe çdo palë ka pretendimet. Unë kam qenë gjithmonë i bindur që Lautaro do të merrte rrugën e duhur, duke menduar edhe sforcot që ka bërë për të qenë në këtë skuadër. Ka arritur akordin dhe jemi të gjithë të lumtur, Interi, Lautaro dhe tifozët. Duhet të shohim nga e ardhmja.
Mendon se ai mund të futet në listën e golashënuesve më të mirë të Interit?
Lautaro i ka të gjitha mundësitë për të arritur aty, por në futboll është shumë e vështirë që të bësh parashikime. Sigurisht që nëse vazhdon kështu, nuk kam asnjë dyshim që mund ta arrijë.
Keni ndonjë peng në karrierë, që nuk keni luajtur dot me ndonjë kampion?
Nuk është e lehtë sepse kam luajtur vërtet me shumë kampionë, por me Lotar Mateusin sigurisht. Do të më pëlqente të luaja me të për mënyrën se si e interpretonte futbollin. Edhe për Gigsin kam pasur shumë admirim dhe sa herë e takoj e përqafoj dhe kujtoj sfidat me të. Pastaj kam edhe një emër tjetër, me të cilin kam luajtur, por do të doja më shumë: Roberto Baxho. Përveçse e kam një mik të mirë është një lojtar i jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë fushës.
Keni një histori që ju lidh veçanërisht?
E kujtoj shpesh. Baxho më ka dhuruar qenin tim të parë. E kujtoj shumë mirë që më tregonte disa video të bukura me disa Labrador. Edhe unë nisa të dashurohesha me ata. Një natë dolëm për darkë me familje tona, unë, ai dhe Peruci. Në një moment më tha: Më shoqëron pak në makinë sepse do të marr diçka dhe vetëm nuk e bëj dot. E ndoqa dhe nga makina doli një qen i madh. Ishte dhurata ime.
Inzagi tek Interi, Konte te Napoli dhe Mota te Juventusi. Çfarë kampionati do të jetë i ardhshmi?
Do të jetë një kampionat i vështirë dhe i ekuilibruar. Duhet të mbrojmë titullin kampion me bindjen se jemi të fortë dhe duhet të bëjmë gjithçka për të vazhduar fitoret. Do të luftojmë ashtu si gjatë këtyre viteve për të shkuar deri në fund.
Kush ju bën më shumë kurioz, Zielinski apo Taremi?
Unë e kam ndjekur shumë Zielinskin dhe më pëlqen si mesfushor. Ai mund të na japë një dorë për arritjen e objektivave.
PANORAMASPORT.AL