Tek Italia e kanë marrë gjithçka seriozisht, duke i kushtuar rëndësi çdo detaji para debutimit në Europian ndaj Shqipërisë ditën e shtunë. Rregullat në grumbullimin “axurr” janë shumë strikte, sipas asaj që bën me dije “Gazetta dello Sport”, ku evidentohen rekomandimet e trajnerit Spaleti për të tijtë. Artikulli i plotë:
“Nuk dua ‘karagjozë’”, thoshte Spaleti më 9 tetor në Koverçiano. Nuk ishte vulgaritet, por citimi i librit të njohur të Xhejms Kerr për etikën e punës të “All Blacks”. Trajneri donte lojtarë të përqendruar maksimalisht, që respektojnë rregullat, larg sjelljeve pak profesionale që në mënyrë të paevitueshme kushtëzojnë rendimentin. Kanë kaluar 8 muaj. Spaleti kishte premtuar se do t’u dhuronte të gjithëve një kopie të esesë. E ka bërë apo jo, 26 të grumbulluarit në Europian e dinë mirë se nuk pranohet asnjë përjashtim, nga Firence në Gjermani. Nuk ka sukses vetëm me taktikë.
SERIOZITET – Skuadër e përqendruar do të thotë që askush nuk duhet të izolohet në botën e tij virtuale, bëhet fjalë për rrjetet sociale, ose thjesht për muzikë. Pra, nuk lejohen lojtarë që ecin me kufje në vesh, “me pamjen e një idioti” ka saktësuar trajneri për ta bërë idenë më të qartë. Mesazhi nuk ishte i rastësishëm: edhe pse nuk ishin të largëta kohët e “alternativëve”, ndonjë “djallëzi” ende shpëtonte, veçanërisht nga Xaniolo dhe Kean, që ia kishin bërë këtë gjë edhe Mançinit. Rregulli i dytë: jo njerëz që bëjnë shaka të vrazhda. Pozicioni dhe fanella nuk e lejojnë. Kjo nuk do të thotë se duhet të ketë lojtarë “turivarur” dhe fytyra të trishtuara, sepse kështu merr fund gjithçka, por “duhet punuar duke u argëtuar”. Por punë ama. Përqendrim maksimal dhe asnjë e qeshur në stërvitje.
PLAY? JO, PING PONG – Duhet përpikëri. Skuadra është skuadër dhe jo thjesht një grumbull individësh. Në orën 12:00 të gjithë bashkë në mbledhjen teknike, në 12:45 dreka, në orën 20:00 darka. Askush me vonesë. Më shumë liri për mëngjesin, duke parë që stërvitjet janë pasdite, lojtarët mund ta konsumojnë këtë vakt brenda orës 11:00. Pas darkës nuk është shtetrrethimi i fikjes së dritave, por pushimi është pjesë e rëndësishme e përgatitjes së një profesionisti. Nuk jemi në kohën e Bearzot dhe Trapatonit, që shkonin dhomë më dhomë për kontroll në mbrëmje. Por dihet, “play station”-ët personalë janë ndaluar dhe bashkë me ta edhe tentativat e netëve magjike në video. Rasti i Skamakës ka shërbyer si mësim. Ka lindur “dhoma e lojërave”, me ping pong, bilardo, dy video-lojëra të viteve ’80 (të tipit fliper). Në fund telefoni. Përdoret para drekës dhe darkës, videotelefonatat me familjen dhe pastaj të fikur.
XHIXHI PËR TË GJITHË – Grupi është i qetë. Në korridoret e hotelit volumi është i ulët, askush nuk e ngre zërin. Bufon është pika e referimit, si Vjali më parë. Lojtarët flasin për gjithçka me të. “Bërthama” e skuadrës përfshin Barelën, Donarumën, Zhorzhinjon, Kristanten dhe Di Lorencon, ata mund të flasin për premiot me Federatën, por pa urgjencë. Është krijuar përshtypja se “axurrët” duan të presin debutimin para çdo diskutimi (në 2021-shin premiot ishin fiksuar vetëm për finalen dhe fitoren).
USHQIMI – Nëse është e vërtetë që “ne jemi ajo çfarë hamë”, siç thoshte një filozof gjerman, atëherë edhe ushqimi mund të ndikojë te fitimi apo humbja e një ndeshjeje. Bashkë me skuadrën janë nutricionistë dhe shefa kuzhine. Kuzhina është e ndryshme, ku natyrisht nuk mungojnë pasta (domate, pesto, ragù), gjeli i detit, pula, perimet e ziera, avokado, ananas, pjepri dhe torta. Pica pas ndeshjes, akulloret po ashtu. Nuk ka pije alkoolike. Lazanja lejohet. Mëngjesi me biskota, pankek, qumësht i çdo lloji (edhe soje, orizi dhe tërshëre) dhe kafe. Tani mbetet vetëm dyshimi, nëse trajneri Spaleti ia ka dhuruar dikujt apo jo librin dhe a është lexuar. Do të kuptohet në fund.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL