Andrew Robertson u rrit në një familje tifozësh të Celtic në Glasgow dhe kishte ëndërr të luante për klubin e tij të preferuar.
Megjithatë, në moshën 15-vjeçare, ai dëgjoi atë që asnjë të riu nuk i pëlqen të dëgjojë: i thanë se nuk ishte mjaftueshëm i mirë dhe u largua nga skuadra, transmeton GazetaBlic Sport.
Pa hequr dorë nga futbolli, ai u transferua te amatorët në Queen’s Park dhe ajo që fitoi u përdor vetëm për të paguar udhëtimet. Kështu ai gëlltiti krenarinë e tij dhe filloi të punonte me kohë të pjesshme në një rrjet supermarketesh.
“Sapo kisha mbushur 18 vjeç kur pranova atë punë. Unë isha ende në shkollë. Ishte Krishtlindje, ata po punësonin staf të përkohshëm. Unë isha një prej tyre. Më pëlqeu, të them të drejtën! Kur shikoj prapa, ndihem sikur ishte vërtet mirë”, tha ai në një intervistë me Daily Mail në vitin 2018.
“Nuk e kam menduar kurrë: po heq dorë nga futbolli. Nuk ka asnjë mënyrë të lehtë për të arritur në krye”, përmblodhi Andy Robertson. Dhe kështu ishte.
Karriera e mbrojtësit të majtë lidhet Dundee United, Hull City dhe Liverpool – ku ai fitoi Premier League dhe Champions League.
Në miqësoren e fundit të Skocisë para Euro 2024, ai theu rekordin për më shumë ndeshje të luajtura si kapiten i kombëtares: 49.
“Të jesh kapiten i Skocisë ishte tashmë një ëndërr e realizuar. Të thyesh rekordin e vendosur nga i madhi George Young është surreale”, shkroi ai më vonë në rrjetet sociale.
Skocia debuton këtë të premte në Kampionatin Evropian të luajtur në Gjermani, pikërisht ndaj skuadrës nikoqire.
/GazetaBlic Sport/