Dallas Mavericks ka fituar me një rezultat të bujshëm 122-84 ndaj Boston Celtics në ndeshjen e katërt finale të play off-it në NBA, duke rihapur garën për titull. Me këtë triumf të parë në serinë finale, teksanët rikthyen shpresat për të fituar titullin, duke triumfuar bindshëm në shtëpinë e tyre.
Në një ndeshje të dominuar plotësisht nga vendasit, Dallas arriti një fitore vendimtare që ishte e vetmja mënyrë për të mbajtur gjallë aspiratat e tyre për titull. Pavarësisht kësaj fitoreje, Boston vazhdon të kryesojë serinë 3-1 dhe është vetëm një fitore larg titullit kampion.
Ndeshja e sotme nuk pati ndonjë histori të veçantë, pasi vendasit komandonin gjatë gjithë kohës, duke u shkëputur gradualisht nga kundërshtarët. Luka Doncic ishte ylli i mbrëmjes me 29 pikë, ndërsa Kyrie Irving shtoi 21 pikë, duke bërë diferencën në fushë. Kontributi i bankës rezervë të Mavericks ishte gjithashtu mbresëlënës, duke shtuar 51 pikë në total.
Për Dallas, loja kolektive dhe mbrojtja e fortë ishin çelësi i suksesit. Nga ana tjetër, Boston vuajti mungesën e një lojtari-lider, me Jayson Tatum që realizoi vetëm 15 pikë, më i miri për ekipin e tij. Ndeshja e pestë finale do të zhvillohet në fushën e Boston Celtics, ku ata kanë mundësinë të shpallen kampion para tifozëve të tyre.
Finalet e NBA-Play off
Ndeshja 1, Boston – Dallas, 107-89
Ndeshja 2, Boston – Dallas, 105-98
Ndeshja 3, Dallas – Boston, 99-106
Ndeshja 4, Dallas – Boston, 122-84
Ndeshja 5, Boston – Dallas, 17 qershor