Trajneri që ishte në krye të Shqipërisë, kur “kuqezinjtë” prekën për herë të parë një Kampionat Europian në 2016-ën, Gianni De Biasi ka dhënë së fundmi një intervistë për mediet italiane në prag të ndeshjes së Kombëtares sonë ndaj Italisë.
Ai zbuloi se në 2016-ën ishte në prag të marrjes së drejtimit të skuadrës së Italisë, por në fund ata zgjodhën Ventura-n.
“Në 2016-ën isha shumë pranë kombëtares së Italisë. Sapo e kisha çuar Shqipërinë në Kampionatin Europian, ishte goxha arritje. Megjithatë ata preferuan Gian Piero Ventura-n. Do të kishte qenë një përfundim i shkëlqyer i karrierës sime. Është turp”-tha fillimisht ai.
Më pas i pyetur për deklaratat e trajnerit aktual të Italisë, Luciano Spalletti-t që foli për “gjigantë e heronj”, italiani theksoi se nuk duhet të harrojnë që gjatë gjithë historisë kanë fituar katër herë Kupën e Botës dhe dy herë Kampionatin Europian.
“Ai bëri mirë. Kushdo që vesh fanellën e Italisë duhet të kujtojë se kush e ka bërë para tij. Ne jemi ata që kemi fituar katër Kupa Bote, dy Kampionate Europiane, ne jemi kampionët në fuqi të këtij kompeticioni”-tha ndër të tjera De Biasi.