Padyshim do të kërkojnë një fitore të madhe. “Tulipanët” e Holandës do të nisin rrugëtimin e tyre evropian pasditen e kësaj të diele, teksa në 15:00 do të përballen në arenën e “Volksparkstadion” të Hamburgut, me “Shqiponjat e Bardha”, të Polonisë, në sfidën e parë të Grupit D.
Sa i përket formacioneve, tekniku Michal Probierz i ka rreshtuar polakët e tij me formulën 3-4-2-1, ku në portë është vendosur Szczesny, ndërsa në mbrojtjen me tre Kiwior, Bednarek e Salamon.
Në krahët e mesfushës janë Zalewski e Frankowski, ndërsa Romanczuk e Zielinski mbulojnë qendrën. Më të avancuar janë Urbanski e Szymanski, ndërsa në sulm vendoset Buksa.
Në krahun tjetër, tekniku Ronald Koeman ka vendosur t’i rreshtojë “tulipanët” e tij me formulën 4-3-3, ku në portë është vendosur Verbruggen. Në krahët e mbrojtjes janë Dumfries e Nathan Ake, me qendrën që mbulohet nga De Vrij e Van Dijk. “Dirigjimi” i lojës në mesfushë i është besuar treshes Schouten-Reijnders-Veerman, ndërsa sulmi përbëhet nga Xavi Simons, Depay e Cody Gakpo.