Arrigo Saki rezervon këshillat e radhës për Milanin. Nga merkato deri te mënyra se si duhet të zhvillojë luftën për një titull, që edhe sivjet duket se ka zikaltërit si favoritë kryesorë. Në vijim, edhe intervista e ish-trajnerit për “La Gazzetta dello Sport”.
A është Milani tashmë gati për të tentuar ngjitjen drejt titullit?
Besoj se Interi është pak përpara, sepse sapo ka fituar kampionatin dhe sepse prej tre vitesh punon me të njëjtin trajner dhe me të njëjtin grup. Nëse kuqezinjtë bëjnë gjërat e duhura, atëherë ata do të kenë mundësinë të ecin përpara dhe të bëjnë diçka të jashtëzakonshme.
Cili është çelësi i suksesit?
Është thelbësore që puna të ketë pikën e saj të fortë në klub, nga drejtuesit, deri tek idetë dhe filozofia që duhen transmetuar te trajneri dhe ekipi. Pa egoizëm, të gjithë në fushë në emër të kolektivit. Milanistët kërkojnë shumë sepse kanë pasur shumë, është logjike që duan të rimarrin rrugën drejt lavdisë dhe skuadra e re e Fonsekës ka për detyrë të garantojë emocion e argëtim.
Sa të vështirë do ta ketë Fonseka në këtë kontekst të ri?
Shpresoj që të jetë në lartësinë e rolit që i kanë besuar. Një detyrë me përgjegjësi të madhe, sepse të stërvitësh Milanin është një mision i vështirë, që jep prestigj të konsiderueshëm dhe njëkohësisht kërkon angazhim maksimal. E rëndësishme është që në këtë periudhë negociatash të mos mbyllë sytë dhe të mos kënaqet me këdo t’i sjellin pasi do të ishte një gabim shumë i rëndë. Fonseka duhet të jetë vigjilent dhe, nëse është e nevojshme, të ngulë këmbë. Qëllimi për Milanin është të ketë një lojë e ju mund ta arrini vetëm nëse keni idetë dhe interpretuesit e duhur për ta zhvilluar.
Si do ta përkufizonit blerjen e Moratës?
Si një veprim i shkëlqyer. Spanjolli është një qendërsulmues i gjallë, që lëviz shumë në front, që njeh futbollin italian dhe, mbi të gjitha, që e di se çfarë duhet bërë për të fituar. Ai mund të jetë i rëndësishëm në fushë dhe në dhomën e zhveshjes, duke pasur parasysh përvojën e tij në nivel ndërkombëtar pasi nuk duhet të harrojmë se është kapiteni i Spanjës që sapo ka fituar titullin europian.
Milani po përpiqet të mbyllë bisedimet për Fofanën dhe të vazhdojë të ndjekë Pavloviçin. Si ju duken?
Dy operacione që mund të jenë pozitive, për aq kohë sa janë rënë dakord me trajnerin. Ekipet nuk krijohen duke bashkuar lojtarë, por duke i dhënë një identitet, një stil, një lojë të gjithë grupit. Kjo është ajo që pres nga Fonsekaa. Këtë vit, Atalanta fitoi Ligën e Europës pa shpenzuar shuma stratosferike. Kjo është dëshmi se në planin afatgjatë, puna dhe idetë gjithmonë shpërblehen.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI- PANORAMASPORT.AL