“Sky Sport”, raporton se trajneri i Milanit, Fonseka ka provuar një formacion krejtësisht të ndryshëm nga ai i parë deri më tani në Serie A. Ata që do t’i paguajnë veçanërisht janë Teo Hernandez dhe Rafael Leao, dy nga lojtarët që kanë bërë më shumë gabime në ndeshjen e humbur ndaj Parmës.
Nëse trajneri portugez do ta konfirmonte këtë vendim, sigurisht që do të ishte një sinjal i fortë drejt dhomave të zhveshjes dhe në përgjithësi ndaj gjithë ambientit të kuqezinjve.
Në seancat stërvitore të “Milanello”, Çukvueze dhe Terraçiano u provuan në formacionin e parë, me të dy zëvendësues, përkatësisht Leao e Teo Hernandez. Një tjetër emër i lënë jashtë titullarëve të mundshëm është Kalabria. Kapiteni i Milanit është në vështirësi në fillim të sezonit dhe mund të humbasë vendin e titullarit karshi Emerson Rojall.
Formacioni i testuar nga Fonseka në ditët para ndeshjes kundër Lacios përfshin Manjan mes shtyllave, Tomori dhe Pavloviç që qendër të mbrojtjes, me Emerson Rojal në të djathtë dhe Terraçiano në të majtë.
Në mesfushë, Fofana pritet të jetë titullar së bashku me Reijnders, ndërsa Pulishiç, Loftus-Cheek dhe Çukvueze duhet të luajnë më të avancuar, me detyra ofensive. Në pjesën e përparme, Okafor do të jetë i vetmi sulmues, me Morata dhe Joviç në “infermieri” për shkak të problemeve fizike.