“Lautaro Martinez do të jetë gjithmonë një zgjidhje për mua dhe kurrë një problem”. Kështu u shpreh në konferencën për shtypin një ditë para ndeshjes Simone Inzaghi kur u pyet për sulmuesin argjentinas.
Në përballjen me City-n, 15 muaj pas asaj finaleje të humbur, Lautaro pritet ta nisë ndeshjen nga stoli. Nuk bëhet fjalë për ndonjë problem fizik, thjesht është zgjedhje teknike e Inzaghit.
Trajneri i zikaltërve, në fakt, është duke menduar për një lëvizje surprizë të diktuar nga lodhja e argjentinasit.
Lautaro, të cilit po i mungon goli këtë sezon siç nuk i ka ndodhur kurrë më parë (në 12 paraqitjet e tij të fundit në Serie A ai ka shënuar vetëm një herë), duhet t’ia lërë vendin përkrah Thuramit sulmuesit tjetër, Taremi, i cili gjithashtu është ende në kërkim të golave të parë për zikaltrit (ai ka shënuar nëntë gola në Champions League me Porton).
Dyshimi do të zgjidhet në orët në vijim, ashtu si ai për Pavard, i cili u shfaq në vështirësi në Monza, dhe për Bisseck, por pjesa tjetër e formacionit duhet të konfirmohet: Sommer mes shtyllave, Acerbi (i cili e gjen veten përballë një Haaland në formë të shkëlqyer, shënues i 9 golave në 4 ndeshje në Premier League), Bastoni e Pavard formojnë teshën e mbrojtjes, me Darmian dhe Carlos Augustos si anësorë krahë, Barella, Calhanoglu dhe Mkhitaryan në mesfushë. Në sulm, Thuram dhe Taremi.
Lodhje muskulore për Dimarcon, i cili nuk u nis për në Mançester si dhe Arnautovic që ka temperaturë, por që duhet të shërohet për ndeshjen ndaj Milanit.
Formacionet e mundshme:
Manchester City (3-4-2-1): Ederson; Akanji, Dias, Gvardiol; Rodri, Gundogan; De Bruyne, Foden, Savio, Doku; Haaland.
Inter (3-5-2): Sommer; Pavard, Acerbi, Bastoni; Carlos Augusto, Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan; Thuram, Taremi.