Dy humbje në një javë, fillimisht në Leverkusen në Champions dhe më pas në Firence bëjnë që fitorja në derbin ndaj Interit të duket si një shekull larg.Ndaj Fiorentinës, “Djalli” – i paraqitur me të njëjtin formacion që pati fituar kundër Interit – regjistroi ndalesën e dytë në kampionat që i bëri kuqezinjtë të rrëshqasin në vendin e gjashtë, 5 pikë poshtë liderit Napoli. Vërtetë që jemi vetëm në javën e shtatë, por skuadra e Fonsekës duhet të gjejë identitetin e saj sa më shpejt për të mos humbur të tjera pikë gjatë rrugës. Që nga sezoni 2009/10, Milani nuk ka mbledhur më pak se 14 pikë në shtatë sfidat e para në Serinë A (9 në atë rast) dhe që nga ai vit nuk kishte pësuar të paktën 9 gola në shtatë raundet e para.
DËMI – Shumë ndërprerje në nivel loje dhe në paraqitjen e individëve me lojërat e mira alternohen me gabime të rënda, siç ishte ai me rastin e golit të dytë të Fiorentinës, i cili erdhi nga një pasim i gjatë i De Geas dhe një mbrojtje e turpshme e cila kulmoi me atë “dalje huq” nga Tomori. Shumë konfuzion, që u përkthye në zemërimin e Fonsekës në fund të ndeshjes për menaxhimin e penalltive. Jam i mërzitur. Pse nuk i gjuajti Pulisiç, që është goditësi ynë? Kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë”, ishin fjalët e përziera me zhgënjim dhe zemërim nga trajneri kuqezi duke komentuar humbjen. Shumë nervozizëm e mjafton të shihje Hernandezin, i cili me shiritin e kapitenit në krah merr të kuqe për protestën kundër arbitrit Paireto dhe tani do të paguajë me të paktën dy ndeshje ndalesë, duke e vënë në vështirësi ekipin për ndeshjet e radhës. pas pushimit për ekipet kombëtare (Milan-Udineze të shtunën 19, Bolonja-Milan më 26 dhe Milan-Napoli më 29 tetor).
PASOJAT – Një ditëlindje me të vërtetë për t’u harruar për francezin, i cili nuk i bën vetes dhurata, por ua shpërndan kundërshtarëve të tij në formën e një penalltie të shkaktuar (ndaj Dodosë) dhe një penalltie të humbur (tre gabime nga pika e bardhë nga 6 penalltitë e goditura në Serie A). Amnezitë shqetësuese në mbrojtje por edhe mungesa e shkëlqimit në sulm: Morata ka pak ndikim, Abraham gabon (shih penalltinë), Leao është më i rrezikshmi por nuk mjafton. Nota pozitive përpara është se Pulisiç ende shënon: për herë të parë në karrierën e tij ai shënoi në katër ndeshje radhazi në pesë turnetë më të mirë europianë. Milani duhet ta gjejë veten shpejt, Fonseka duhet t’i japë skuadrës një shpirt të mirëpërcaktuar, atë që i ka munguar deri tani. Përndryshe, kriza vetëm sa do të zmadhohet.
PANORAMASPORT.AL