Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mario Mitaj ka filluar aventurën e tij të re në Arabinë Saudite, tek skuadra e madhe, Al Ittihad.
Mitaj kaloi në Arabi gjatë ditëve të fundit të merkatos, teksa ka shkëlqyer me paraqitjet e tij të para tek skuadra arabe.
Analisti i futbollit në Arabi, Abdul Aziz ka vërejtur talentin dhe cilësitë e Mitajt, pasi thotë se ai është i qetë me topin dhe luan mirë në zona të ngushta. Sipas Aziz, Mitaj mund të shkëlqejë edhe më shumë në këtë ekip, pasi të kalojë edhe pak kohë në përshtatjen optimale të tij.
“Mitaj është një lojtar i mirë si përshtypje e parë. Ai ka aftësi të mira me topin. Ai është në gjendje të përshtatet dhe ndërsa fiton përvojë, ai mund të jetë një lojtar i spikatur”, tha fillimisht analisti i sportit në Arabi Saudite, Abdul Aziz për ‘GazetaBlic Sport’.
Aziz poashtu përmend faktin që mesfushorët si Kante e Fabinho mund t’i ndihmojnë shumë Mitajt që të rritet akoma si lojtar.
“Tani me skuadrën e drejtuar nga Laurent Blanc, ai mori pjesë në tri ndeshje dhe u paraqit mirë si titullar. Një lojtar i ri i aftë për një sërë pjesëmarrjesh dhe shumë ndeshje, ai fiton përvojë nga lojtarë të mëdhenj si Kante dhe Fabinho dhe jep performancën më të mirë, pasi ka potencial”, përfundoi Aziz.
Kujtojmë se Mitaj në Arabi po aktivizohet si mesfushor, ndryshe nga kombëtarja ku ai luan rolin e mbrojtësit të majtë.
/GazetaBlic Sport