David Beckham, legjendë e Manchester United, pozicionohet në krah të pronarëve të klubit në lidhje me zhvillimet e fundit.
Ish-kapiteni i Anglisë, tani bashkëpronar i klubit MLS Inter Miami, tha në podkastin e Rio Ferdinandit se “Djajtë e Kuq” janë në duart e duhura për të bërë kthesën:
“Unë mendoj se ka pasur patjetër nevojë për një ndryshim pas sezoneve të fundit. Duke folur si tifoz i Manchester United, shumë thanë se klubi kishte nevojë për një ndryshim dhe një perspektivë të re se si duhet të drejtohet dhe vendimet që merren”.
Për Ratcliffe ai tha: “Më pëlqen shumë Jim, e kam takuar atë disa herë gjatë viteve me disa miq të përbashkët. Mendoj se ai është një fans dhe pa dyshim që është gjithashtu një biznesmen i madh, një nga më të mirët dhe më të mëdhenjtë. Por mendoj se më e rëndësishmja është që fansat e shohin se ai kujdeset për atë që dëshiron të bëjë dhe çfarë dëshiron të krijojë. Shpresoj që gjërat të ndryshojnë, por këto gjëra kërkojnë kohë, mendoj se kemi qenë mjaft të durueshëm si tifozë të Manchester United ndër vite, por duam të kthehen ato ditë të mira të vjetra dhe sa më shpejt ta bëjmë këtë, aq më mirë”.
Polemika e fundit në lidhje me INEOS, bashkëpronarin e ri të Manchester United, ka të bëjë me largimin e Sir Alex Fergusonit, trajneri më i suksesshëm në historinë e “Djajve të Kuq”. Skocezi ishte konfirmuar si ambasador global i klubit dhe merrte një pagë vjetore, por tani do të mbetet duarbosh.