Tuesday, 20. October 2026
Sport

Nufi pret komandantin e ri të KFOR-it, Vergori: Shqipëria e përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë

GS 20/10/2026 2 Min. Lesezeit

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, priti sot në një takim komandantin e ri të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Roberto Vergori.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi rolin e KFOR-it në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë, si dhe kontributin e misionit në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Nufi vlerësoi rëndësinë e misionit të NATO-s dhe kontributin e vazhdueshëm të Shqipërisë në këtë drejtim.

Ai theksoi se angazhimi i Shqipërisë në KFOR dëshmon rëndësinë që vendi i kushton mandatit të misionit dhe përpjekjeve për promovimin e sigurisë në Kosovë dhe në mbarë rajonin.

Nufi nënvizoi gjithashtu se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj përgjegjësive të saj si anëtare e NATO-s, duke vijuar të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për një rajon më të sigurt dhe të qëndrueshëm.

“Në takimin me Komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneralmajor Roberto Vergori, vlerësuam bashkërisht rolin e rëndësishëm të misionit të NATO-s në garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë, si dhe kontributin e tij për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

KFOR-i ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë. Kontributi ynë i vazhdueshëm dhe i palëkundur në këtë mision dëshmon rëndësinë e veçantë që i kushtojmë mandatit dhe rolit të tij në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në mbarë rajonin.

Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj përgjegjësive të saj si anëtare e përkushtuar e NATO-s, duke vijuar të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për një rajon më të sigurt, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt bashkëpunimit.

Shumë mbarësi në këtë mandat, Gjeneralmajor Vergori!”, shkruan ministri.

/rtsh.al/

Teilen: