Një aksident automobilistik është regjistruar në hyrje të bypass-it Mbrostar–Levan, pranë rrethrrotullimit të Spitalit Memorial në Fier, ku janë përplasur një betoniere dhe një automjet transporti.
Si pasojë e përplasjes, betonierja ka dalë nga rruga, ndërsa njëri prej drejtuesve të mjeteve ka mbetur i plagosur, duke pësuar frakturë në krah.
I plagosuri është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas informacionit paraprak, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ka mbërritur Policia, e cila ka ndërhyrë për menaxhimin e trafikut, pasi aksidenti ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar shkakun e aksidentit.
/rtsh.al/