Nesër të gjithë vëmendjen e futbolldashësve e merr “El Clasico” Real Madrid-Barcelona. Një luftë mes fuqive të mëdha të futbollit spanjoll dhe për kreun e La Ligës: “Merenguesit” janë në fakt tri pikë larg “Blaugranave” dhe duan të barazojnë me pikë rivalët e përjetshëm, ndërsa të besuarit e Flick kërkojnë suksesin për ta thelluar më tej diferencën.
Mes “yjeve” në fushë nesër, spikatin dy: Vinícius Júnior dhe Lamine Yamal, kandidatë për t’u bërë lojtari më i mirë në qarkullim në të ardhmen e afërt. Braziliani i lindur në vitin 2000 dhe 17-vjeçari spanjoll do të garojnë me driblime dehëse për të arritur një triumf të madh në përplasjen direkte.
Në një intervistë të publikuar nga “El Mundo Deportivo”, në prag të kësaj përplasjeje “titanësh”, Sergio Agüero shprehu mendimin e tij për të dy dhe gjithashtu nuk ngurroi të thoshte preferencën e tij:
“Për sa i përket stilit të lojës dhe talentit, Lamine ka shumë më tepër se Vinícius, edhe pse Vinícius ka më shumë përvojë dhe është një lojtar që ka fituar trofe me Realin. Ai është një nga tre lojtarët më të mirë në botë, por në moshën e tij dhe duke marrë parasysh talentin e tij, preferoj Lamine.
Të ishte për mua, do t’i vendosja nga secili krah në skuadrën time dhe do t’i bëja kundërshtarët t’i luteshin Zotit.
Është si kur Messi dhe Neymar të ishin bashkë, tani Vinícius ka Mbappenë në Madrid, por francezi është më shumë një ‘9’ dhe nuk ka talentin e Viníciusit”, ishte përgjigjja e Agueros.