Thonë se rehatia nuk blihet me para, mesa duket kjo vlen edhe për fqinjët.
Sipas asaj që raporton “Page Six”, David dhe Victoria Beckham tashmë i kanë zemëruar fqinjët e tyre të rinj, disa ditë pasi u transferuan në vilën e re 80 milionë dollarëshe në “Miami Beach”.
Problemi? Çifti i njohur anglez nuk ka rezultuar të ishte shumë privat.
Personat e famshëm në përgjithësi bëjnë përpjekje të mëdha për të fshehur blerjet e pronave të tyre të paluajtshme, preferojnë të përfshijnë në regjistrat publikë firmën ligjore në të cilën janë mbështetur, në vend të asaj reale.
Por “Becks” dhe “Posh Spice” zgjodhën ta bënin atë në mënyrën e vjetër, duke përdorur emrat e tyre.
Dhe tashmë ajo zonë, siç pretendojnë ata që kanë jetuar prej kohësh, është pushtuar nga fansat, paparacët dhe kureshtarët.
Mes VIP-ave që jetojnë në atë zonë është Shakira dhe këngëtari i “Bee Gees”, Barry Gibb (edhe pse nuk është e qartë nëse edhe ata janë zemëruar me ‘Beckhams’).
“E gjithë bota duket sikur kalon aty, zona është mbushur me paparacë, shtëpitë janë kudo në internet dhe fqinjët ndihen të shqetësuar për sigurinë, – tha një burim për revistën amerikane.
– Fqinjët do të donin që ‘Beckhams’ të mos e kishin përdorur emrin e tyre të vërtetë në këtë blerje. Lagjet e Miami nuk janë Beverly Hills, ka gjithashtu shumë familje private, jo të famshme, që nuk duan vëmendje të panevojshme publike”.
Për momentin, asnjë përgjigje nga personat e përfshirë drejtpërdrejt.
Shtëpia e re e David dhe Victoria, më shumë se 1300 m2, ka banja të shumta, një kuzhinë në natyrë, një sallë pritjeje në çati dhe pamje nga gjiri ekskluziv Biscayne.