“Elbasan Arena” dhe RTSH Sport do të jenë dy vendtakimet ku të gjithë sportdashësit në vend do të kenë mundësi që të mblidhen dhe të shijojnë derbin mes Dinamos dhe Partizanit.
Dueli premtom spektakël pasi teknikët e të dy skuadrave ende nuk kanë pësuar asnjë humbje që prej momentit që kanë marrë frenat e ekipe respektive në dorë. Mbi këtë fakt trajneri i “Demave”, Aleksandar Veselinoviç vlerësoi homologhun e tij te Dinamo City duke thënë: “Kam një respekt mjaft të madh si për kolegun e Dinamos dhe të tjerë. E di që puna jonë dhe profesioni ynë është i vështirë. Më të rëndësishëm janë lojtarët, performanca e tyre që duhet të tregojnë në fushë dhe jashtë saj. Mendoj se fokusi ynë do të jetë te lojtarët si gjithmonë. Ne punojmë gjithë kohës me lojtarët dhe duhet ta kemi fokusin tonë tek ato. Përsa i përket rezultateve, ka të mira por dhe momente kur nuk janë të mira. Kam rreth 24 vite që punoj si trajner dhe mendoj se dhe kur kemi moment të mirë, ndoshta rezultatet nuk janë ato që priten. Në profesionin tonë nuk kemi kohë që të gëzohemi apo lumturohemi. E them sinqerisht që si trajneri i Dinamos dhe të tjerët janë mjaft të nderuar. Mendoj është trajner shumë i mirë dhe me atë që ka treguar në futbollin shqiptar”.
Një tjetër argument i konferencës së sotme për shtyp ishte edhe çështja “Zguro”. “Ne mendojmë vetëm për Dinamon, për momentin është më e rëndësishmja për mua dhe kundërshtarin. Të mendojmë vetëm për kundërshtarin e nesërm, pra vetëm për Dinamon”, tha Veselinoviç.
Përballja e fundit me Dinamon përfundoi barazim 2-2, ndërsa tani trajneri serb tregon se mund të kemi një fund ndryshe. “Ishte dy muaj më parë. Jemi përballur me ndeshjet pasardhëse, atë takim e kemi analizuar, përpiqemi duke parë ekipin e radhës që na vjen si kundërshtar mjaft të fortë. Nuk kemi kohë të kthejmë kokën prapa pasi ndeshjet janë shumë afër dhe duhet të shohim vetëm përpara. Askush nuk mund t’i përcaktojë rezultatet e pesë ndeshjeve në një javë, është e vështirë si do dalin ndeshjet, janë shumë të forta me skuadra që luajnë njësoj si brenda dhe jashtë”, tha tekniku i Partizanit.