Dushan Vlahoviç nuk kishte nisur kurrë një sezon si bardhezi më të mirë se ky që po zhvillohet aktualisht. Goli kundër Lilës e çoi sulmuesin serb në kuotën e 9 golave në 15 ndeshje, më mirë se çdo sezon tjetër.
Një sezon më parë ai arriti të realizonte 4 gola në 4 ndeshjet e para, por më pas u ndal edhe për shkak të një problemi fizik. Megjithatë, në total në 15 ndeshjet e para ai shënoi vetëm 6 gola, 3 më pak se këtë sezon. Në vitin 2022 Vlahoviç shënoi 7 gola në 15 ndeshjet e para, sërish jo në të njëjtin nivel se këtë sezon. Praktikisht shihet një përmirësim konstant në raport me sezonet e kaluara, por Dushan Vlahoviç edhe pse po bën më mirë, mund të kthehet në një çështje te Juventusi. Një çështje në momentin më të mirë të mundshëm.
Rinovimi nuk ka ardhur ende dhe ka një temë shumë të rëndësishme që i shqetëson të dyja palët. Bëhet fjalë për pagën e lojtarit. Aktualisht paga e Dushan Vlahoviç është më e larta te “Zonja e Vjetër” dhe kërkon që të vazhdojë të ketë këtë status. Nga ana tjetër drejtuesit bardhezi kërkojnë që të ulin shpenzimet që po bëjnë me Dushan Vlahoviç duke parë edhe filozofinë e përgjithshme që po ndiqet për të ulur shpenzimet me pagat. Megjithatë, edhe pse palët janë takuar disa herë, për momentin nuk ka një marrëveshje finale dhe kjo mund të kthehet në një çështje shumë shpejt nëse nuk gjendet zgjidhja.
Kontrata aktuale e Vlahoviçit skadon më 30 qershor 2026, pra në fundin e sezonit të ardhshëm dhe në rast se nuk gjendet një marrëveshje brenda këtij sezoni, sulmuesi serb mund të largohet me parametër zero. Për këtë arsye serbi mund të kthehet lehtësisht në një çështje të nxehtë te “Zonja e Vjetër” nëse nuk rinovon.
PANORAMASPORT.AL