Friday, 28. August 2026
Sport

Kosova kërkon ta mbyll me fitore Ligën e Kombeve

GS 18/11/2024 2 Min. Lesezeit

Pas asaj që ndodhi në Bukuresht javën e shkuar, Kombëtarja e Kosovës është fokusuar te përballja me Lituaninë, të cilën e luan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo ndeshje i takon xhiros së gjashtë apo të fundit të kësaj kampanje të Ligës së Kombeve dhe luhet sonte prej orës 20:45.

“Dardanët” do të kenë përkrahje të madhe nga tribunat, pasi stadiumi do të jetë i stërmbushur dhe sigurisht se kërkojnë fitore në këtë përballje.

Në fakt, Kosova vlerësohet favorit përball Lituanisë, kombëtare kjo që i ka humbur të gjitha ndeshjet dhe renditet e fundit në grupin C2 pa pikë.

Në duelin e parë, të luajtur në Lituani, Kosova pati triumfuar me rezultatin e ngushtë 2:1 dhe në Prishtinë synon ta mbyll këtë kampanjë të Ligës së Kombeve me triumf.

Megjithatë, selektori i Kosovës, Franco Foda do t’i ketë dy mungesa të rëndësishme për këtë ndeshje, pasi kapiteni Amir Rrahmani dhe Lumbardh Dellova mungojnë për shkak të suspendimit.

Dyshja Rrahmani – Dellova, sipas të gjitha gjasave pritet të zëvendësohet nga Fidan Aliti e Ilir Krasniqi, të cilët do të vendosen në qendër të mbrojtjes kurse nga krahët do ta kenë ndihmën e Mërgim Vojvodës dhe Florent Hadërgjonajt.

“Dardanët”, të dielën kanë mbajtur stërvitjen e fundit, ndërsa selektori Foda dhe sulmuesi Vedat Muriqi, kanë shprehur optimizmin e tyre për fitore në konferencën për shtyp edhe pse kanë vlerësuar lart Kombëtaren e Lituanisë.

Aktualisht, Kosova është e dyta në grup me 9 pikë, tri më pak se Rumania që prinë në tabelë, kombëtare këto që janë në pritje të vendimit nga UEFA për ndeshjen e ndërprerë në Bukuresht.

Teilen: