Ljuk Shou ka humbur pothuajse pesë vjet i dëmtuar që nga debutimi i tij si futbollist profesionist kur ishte 16-vjeç. Lajmi vjen gjatë një jave në të cilën mbrojtësi i Mançester Junajtid konfirmoi se ai kishte pësuar një pengesë të vogël, pasi sapo ishte rikthyer pas një mungese nëntë mujore për “Djajtë e Kuq”.Tifozët e mbrojtësit të krahut u kënaqën me një paraqitje të shkurtër të talentit të tij në “Euro 2024”, kur Garet Sauthgejt zgjodhi që të rrezikonte të luante me të në fushë, por trajneri i Anglisë mundi ta aktivizonte atë vetëm në tre ndeshje në Gjermani, dy si zëvendësues. Sipas një raporti të “BBC”, Shou ka humbur 1,675 ditë futbollit prej 75 mungesave të ndryshme që nga debutimi i tij për Sauthemptonin më shumë se një dekadë më parë.
Gjashtëdhjetë e një nga ato mungesa ishin për shkak dëmtimi, me më seriozin në vitin 2015, kur një thyerje e tmerrshme e dyfishtë e këmbës, jo shumë kohë pasi përfundoi një transferim prej 31.5 milionë paundësh në “Old Trafford” e mbajti atë jashtë fushës për 305 ditë. Shou ka qenë i padisponueshëm për shkak të sëmundjes në 14 raste, ndërsa lëndimi i tij më i shpeshtë ka qenë tërheqja muskulore në muskujt e pasëm të kofshës, me të cilat ai ka pasur probleme në 14 raste.
Një tjetër pauzë nga ekipi i parë erdhi për shkak të sëmundjes, duke përfshirë infektimin me “Covid” në mars 2022, që e mbajti atë jashtë për pak më shumë se katër muaj. Çuditërisht, mbrojtësi i krahut u shfaq në më shumë se 70 për qind të ndeshjeve të Premier Ligës për Mançester Junajtid midis sezoneve 2018-19 dhe 2022-2023, periudha më e suksesshme e “Djajve të Kuq” në epokën pas Aleks Fergusonit. Por Shou është paraqitur në vetëm 27.5 për qind të ndeshjeve të kampionatit të “Djajve” që nga fillimi i sezonit të kaluar. Të mërkurën, pasi pësoi humbjen e tij të parë si trajner i “Djajve”, Ruben Amorim u zotua t’i jepte 29-vjeçarit aq kohë sa i duhet për t’u rikuperuar. “Ajo që mund të them që kur kam ardhur është se e shoh në departamentin e mjekësisë duke punuar shumë në palestër”, tha Amorim.
“E shoh duke punuar shumë në fushë. Ne kontrollojmë ngarkesën gjatë ndeshjeve, gjatë stërvitjeve, ai po humbte peshë, kështu që ai po bënte gjithçka. Nëse ai vazhdon të ketë atë sjellje, ai është një lojtar i mirë dhe ne kemi nevojë për të. Pavarësisht se sa kohë do t’i duhet, unë do të jem me të, do ta ndihmojmë të kthehet. Jo vetëm Mançester Junajtid, por kombëtarja juaj ka nevojë për një djalë si Ljuk Shou, kështu që ne jemi këtu për ta ndihmuar atë”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL