Mauricio Skanavino, CEO i Juventusit e ka bërë të qartë qëllimin dhe mundësinë që “Zonja e Vjetër” ka për të vazhduar investimet në aspektin sportiv. Këtë gjë, Skanavino e bën përgjatë një interviste dhënë për “Radio TV Serie A” duke thënë:
“Ne vinim nga një situatë e vështirë ku shuma e pagave dhe e amortizimit ishte shumë e lartë. Në të ardhmen, edhe pse Juventusi ka arritur të ulë disi këto shpenzime, duhet të mbetet skuadra me buxhetin më të lartë në aspektin sportiv. Kjo na jep sigurinë për të qenë konkurrues, por sigurisht që duhet të bëhen edhe zgjedhjet e duhura. Megjithatë, mendoj se bazat tashmë ne i kemi vendosur për të luftuar për kompeticionet më të rëndësishme”.
SPONSORI- Një temë ende shumë e nxehtë te Juventusi është edhe sponsori kryesor i cili për momentin mungon, por Skanavino beson se shumë shpejt do të firmoset kontrata e re. “Ne jemi në negociata shumë të avancuara me disa kompani, prandaj mendoj se deri në fund të sezonit do të kemi një sponsor zyrtar në fanellë.
Të jesh pjesë e Botërorit të Klubeve na jep disa pikë më shumë dhe që mund të ndikojnë në bisedimet me sponsorët. Ne kemi interes që të gjejmë një sponsor për një kohë të gjatë, prandaj nuk kemi bërë një zgjedhje deri tani. Në pritje të sponsorit të ri, ne i kemi dhënë më shumë zë një organizate shumë të rëndësishme siç është Save the Children”, tha ndër të tjera administratori i deleguar i Juventusit, Skanavino.
PANORAMASPORT.AL