Lando Norris fitoi Çmimin e Madh të Abu Dhabit, gara e fundit e Botërorit të Formula 1 2024, duke siguruar fitoren e tij të katërt të sezonit dhe duke i dhënë McLaren-it titullin për konstruktorë pas 26 vitesh.
Ferrari u detyrua të kënaqej me një podium të dyfishtë: Carlos Sainz përfundoi i dyti, ndërsa Charles Leclerc i treti, pas një ngjitjeje të jashtëzakonshme nga vendi i 19-të në start. Ferrari rikuperoi vetëm 7 pikë ndaj McLaren-it, që hyri në garë me një avantazh prej 21 pikësh.
Gara nuk ishte pa drama. Një aksident spektakolar mes Max Verstappen dhe Oscar Piastri që në fillim rezultoi nçë një penalitet prej 10 sekondash për Verstappen dhe nxori jashtë loje australianin Piastri, i cili përfundoi i 10-ti pas një penaliteti të ngjashëm për një kontakt me Colapinton.
Norris ruajti qetësinë, menaxhoi mirë një përpjekje për “undercut” nga Sainz dhe përfundoi garën pa gabime, duke shuar çdo shpresë për përmbysje të Ferrarit. Pavarësisht kësaj, skuadra nga Maranello gëzoi për një rezultat surprizë: Sainz e mbylli i dyti, ndërsa Leclerc tregoi formë të shkëlqyer, duke fituar 12 pozicione në xhiron e parë.
Mercedes e mbylli Botërorin me George Russell në vend të pestë dhe Lewis Hamilton në të katërtin, në garën e tij të fundit pas 12 viteve me ekipin, pasi do të kalojë te Ferrari. Kampioni Verstappen përfundoi pas tyre, ndërsa Sergio Perez, që besohet se po largohet nga Red Bull, doli jashtë gare në xhiron e dytë pas një kontakti me Bottas.
Top-10 u plotësua nga Pierre Gasly (Alpine, 7°), Nico Hulkenberg (Haas, 8°) dhe Fernando Alonso (Aston Martin, 9°).