Como mposhti Romën 2-0 në javën e 16-të të Serie A, falë dy golave të shënuar në minutat shtesë me protagonist Alessandro Gabriellonin.
Pas një pjese të parë të vështirë, Como dominoi në pjesën e dytë, por ndeshja mbeti e ekuilibruar deri në minutën e 90-të, kryesisht për shkak të pritjeve të portierit të Romës, Svilar. Gabrielloni, një figurë kryesore në ngjitjen e Comos nga Seria D në A, u bë sërish hero për ekipin vendas.
Në minutën e 93-të, ai devijoi një asist të Patrick Cutrones, duke shënuar golin e parë me një prekje precize në shtyllën e parë. Më pas, Gabrielloni i dha një pasim vendimtar Nico Paz, i cili shënoi golin e dytë për të vulosur fitoren. Për Comon kjo ishte ndeshja e parë në kampionat me portën e paprekur, ndërsa Roma regjistroi humbjen e tetë të sezonit.