Pas fitores së madhe ndaj Lazios me gjashtë gola, Simone Inzaghi shijon forcën e skuadrës së tij zikaltër.
“Mposhtëm një ekip që vinte nga një moment i shkëlqyer,” shpjegoi trajneri i Interit. “Nuk u shpërqendruam në 20 minutat e para dhe mbajtëm distancat, pastaj ngritëm qendrën e lojës dhe cilësinë, dhe pas dy golave të parë, në pjesën e dytë gjithçka u bë më e thjeshtë. Jam krenar për këtë skuadër,” shtoi ai. “E përgatitëm mirë këtë ndeshje. E dinim cilësitë e Lazios dhe djemtë u treguan të shkëlqyer në interpretimin e saj.”
A është Interi favorit për titullin? “Do ta tregojë fusha,” vazhdoi Inzaghi. “Kemi ende një ndeshje për të rikuperuar. Pas dy ndeshjeve të fundit në kampionat do të kemi edhe Superkupën, kështu që gjithçka do të bëhet më e komplikuar, por do të angazhohemi maksimalisht. Në kampionat kemi pasur vazhdimësi të madhe në dy muajt e fundit, por renditjen e shihni të gjithë. Ka skuadra të shkëlqyera që po bëjnë rezultate të mëdha.”
Mbi fazën mbrojtëse: “Duhet të përgëzoj djemtë. Kemi një muaj që luajmë pa pushim dhe pa Acerbin dhe Pavardin kemi pak vështirësi në rotacionet prapa. Sonte, në pjesën e dytë, bëra disa kalkulime. Darmian, për shembull, hyri në fushë me shumë inteligjencë.”
Për përkushtimin e skuadrës: “Ajo për të cilën jam më krenar është ajo që lojtarët tregojnë në fushë. Ata kanë një përkushtim të çmendur dhe, duke luajtur me këto ritme, duhet të japin gjithmonë maksimumin, gjë që ma tregojnë gjithmonë. Të gjithë e meritojnë të luajnë, por unë duhet të bëj zgjedhje. Shumë njerëz mezi prisnin që të pengoheshim, siç ndodhi në Leverkusen. Për fat të mirë, unë kam lojtarë që dëgjojnë pak nga ato që thuhen dhe punojnë fort.”