Në fushë ka mbi tre muaj që nuk ka fituar, derisa pa triumf mbeti edhe në ndeshjen e fundit të vitit, kur luajti pa gola para publikut të vet.
Skuadra e Llapit, përballë Dukagjinit të premten nuk arriti fitore, megjithëse shënoj njëherë në fund të ndeshjes, por që ai gol u anulua për pozitë jashtë loje, pas rishikimit me VAR.
Situata u tensionua shumë në stadiumin “Zahir Pajaziti” me drejtuesit e klubit llapjan që kanë intensifikuar reagimet ndaj gjyqtarëve edhe Federatës së Futbollit të Kosovës.
Përmes një reagimi në Facebook, KF Llapi ka bërë të ditur që nuk do të ndjekë ceremoninë “Laureatët e vitit 2024”, duke e bojkotuar këtë ngjarje për shkak të situatës aktuale në futbollin kosovar.
Mëposhtë reagimi i plotë i KF Llapit:
Sqarim për mediat dhe opinionin e gjerë
Për shkak të zhvillimeve dhe tendencave që dëmtojnë KF Llapin, kryesia e klubit ka vendosur të bojkotojë ceremoninë “Laureatët e Vitit 2024”.
Ne besojmë se momentalisht nuk ekzistojnë kushtet e duhura për të qenë pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Federata e Futbollit e Kosovës, për shkak të situatës aktuale në futbollin kosovar.
Bojkoti ynë ndaj FFK-së do të vazhdojë deri në momentin kur ky institucion të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e situatës dhe funksionimit të futbollit në vendin tonë.