Futbollisti portugez Rúben Semedo, me një të kaluar te Sportingu i Lisbonës, Porto, Villarreal, Olympiakos dhe që aktualisht luan te Al-Khor në Katar, është arrestuar të dielën e kaluar pranë Lisbonës me akuzën e dhunës në familje.
Pasi arriti të largohej nga shtëpia ku ishte mbajtur e mbyllur për disa orë, e dashura e tij iu paraqit policisë me lëndime dhe hematoma për të denoncuar agresionet nga futbollisti, i cili nuk është i panjohur për këto lloj akuzash.
Në vitin 2018 ai u detyrua të largohej nga Spanja, ku luante, pas një dënimi me pesë vjet burg për tentativë vrasjeje dhe mbajtje armësh pa leje, ndërsa në Greqi ai u akuzua për përdhunim nga një e mitur, por më pas u shpall i pafajshëm për mungesë provash.
Futbollisti, i cili sot duhet të nisej për në Katar, do të dalë para gjykatës në Amadora. Sipas gazetës sportive portugeze ‘A Bola’, avokati i Rúben Semedo-s, Ricardo Serrano Vieira, vizitoi lojtarin pasdite në stacionin policisë në Moscavide dhe pas vizitës tregoi se “Ruben zhvillon një aktivitet profesional jashtë shtetit dhe kjo mund të jetë, mundësisht, arsyeja që ka ndikuar në shpejtësinë e veprimeve procedurale.
“Është i lodhur – tha ai në lidhje me gjendjen e Semedo-s, i arrestuar në orën 3 të mëngjesit të së dielës – Edhe pse është trajtuar mirë autoritetet, këto janë gjithmonë rrethana të vështira; nuk ndihet rehat, prandaj është natyrale që të jetë i lodhur”.
Mbrojtësi ishte arrestuar gjithashtu në vitin 2021 dhe 2022 gjatë qëndrimit të tij në Greqi, me akuzat e përdhunimit dhe dhunës në familje.