Dusan Vlahovic ka tre vjet që është tek Juventusi, që nga largimi i tij nga Fiorentina, për rreth 80 milionë euro, dhe ka kontratë deri në qershor të vitit 2026. Klubi po përpiqet ta rinovojë marrëveshjen me serbin, por pa sukses.
Vlahovic u bë objekt i thirjeve raciste gjatë ndeshjes kundër ish-ekipit të tij dhe takimi u ndërpre. Juventusi barazoi me Fiorentinën, por që në fillim të ndeshjes pati një ndërprerje disaminutëshe.
Sulmuesi merr një pagë prej 10 milionë eurosh për sezon, por Juventusi kërkon që ta nënshkruajë kontratën e re me ulje të pagës. Natyrisht, lojtari nuk është i gatshëm për këtë. Për këtë arsye, objektivi i tij, sipas ‘Gazzetta dello Sport’, është të largohet në fund të kontratës, falas, një situatë që nuk e kënaq klubin, i cili tashmë po e konsideron shitjen e tij.
Me vetëm një sulmues në ekipin e parë (Milik është i dëmtuar), objektivi ishte përforcimi i këtij reparti në këtë merkato dimri dhe një nga objektivat kryesorë ishte Joshua Zirkzee. Manchester United, nën drejtimin e Ruben Amorim, dëshiron të shesë lojtarë në janar, por jo në çdo mënyrë.
Alternativat janë Kolo Muani, i cili gjithashtu intereson trajnerit portugez, dhe Fullkrug, i cili u transferua në West Ham gjatë verës dhe nuk është përdorur shpesh.