Mes shumë gjërave që Tomas Tuhel duhet të zgjidhë në kombëtaren e Anglisë, është edhe ajo e kontrollit të emocioneve të yllit të skuadrës, Xhud Bellingam. I njohur për emocionalitetin e tij në fushë, numri 10 e ka lënë në baltë Realin e Madridit, duke u ndëshkuar me karton të kuq, por një gjë të tillë e rrezikoi edhe vetë Anglia në ndeshjen e fundit kundër Letonisë.
Ndërhyrjet në kohëvonesë ndaj fantazistit anglez, por edhe kapjet e tij me duar nga kundërshtarët gjatë goditjeve standarde të hënën në “Uembli”, kishin edhe një qëllim: të provokonin reagimet e tij. Dhe Bellingam ishte me fat kur një ndërhyrje ndaj Raivis Jurkovskis, u tolerua nga arbitri, i cili i kishte treguar më parë një karton të verdhë.
Kjo i kurseu Tuhelit një dhimbje koke, e ngjashme me atë që përjetoi Karlo Ançeloti muajin e kaluar pas kartonit të kuq ndaj Osasunës, kur një frazë e dalë nga goja e anglezit e futi atë në telashe. Në Angli kanë nisur ta krahasojnë me Pol Gaskoinin, një tjetër futbollist që spikaste për talentin e tij, po aq sa edhe për problemin e kontrollit të emocioneve të tij në fushë.
“Në përgjithësi, ai e di që nuk mund t’ia lejojë vetes këtë. Ai është emocional dhe gjithashtu ende i ri, kështu që është pjesë e lojës së tij”, e “amnistoi” Tomas Tuhel pas ndeshjes. Por ai e di që në ndeshje të mëdha, Bellingam mund ta fusë në telashe Anglinë dhe 21-vjeçari duhet të ketë të njëjtin kontroll të emocioneve të tij, siç përkëdhel edhe topin.
PANORAMASPORT.AL