“Qesharakë”, “Një masakër”… kanë qenë disa nga titujt që përdori shtypi brazilian për të përshkruar humbjen turpëruese të pesë herë kampionëve të botës kundër rivalëve historikë, Argjentinës në të gdhirë të së mërkurës në kualifikueset e Kupës së Botës 2026 për zonën e Amerikës së Jugut. Brazili u shpartallua 4-1 nga Argjentina dhe tani të gjithë kërkojnë kurbanin e radhës.
Të gjitha shigjetat e mediave braziliane janë drejtuar nga trajneri Dorival Zhunior, teksa emri i Karlo Ançelotit është kthyer sërish në tavolinë. “Turp në ‘Monumental’. Argjentina shpartallon Brazilin në humbjen e tij më të rëndë që nga 7-1″, shkroi “Lance”. “Argjentina godet, presioni mbi Dorival rritet”, ka shkruar “Folha do Sao Paulo”, një nga gazetat më prestigjioze.
Edhe pse lojtarët nuk u përjashtuan nga kritikat, kryesori në tabelën e qitjes ishte trajneri Dorival, një menaxher që iu bashkua “Seleçaos” pa shumë kredi dhe që është damkosur pas humbjes së djeshme.
Megjithatë, logjika dikton që ai do të durojë katër ndeshjet e fundit kualifikuese (Ekuadori, Paraguai, Kili dhe Bolivi), ku Brazili duhet të certifikojë kalimin e tij në Botërorin 2026… dhe që nga ajo kohë, e ardhmja e tij është e pasigurt. “Nuk do të jap kurrë dorëheqjen”, tha trajneri në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL