Legjendë dhe zëvendëpresident në klubin e zemrës. Havier Zaneti dhe Interi janë një “binom” thuajse 30-vjeçar që sivjet do të tentojnë diçka historike siç mund të jenë katër tituj: ai i kampionatit, i kupës, i Champions-it dhe i Botërorit për klube. Lidhur me këto tema, argjentinasi ka dhënë edhe një intervistë për “ESPN”.
A mendoni të merrni tek Interi lojtarë argjentinas?
Tashmë kemi Lautaron dhe kjo më bën të lumtur. Për të tjerë nuk është e lehtë, sepse gjithmonë flasim për lojtarë shumë të shtrenjtë. Qëndrueshmëria e klubit është një sfidë për të gjithë dhe është një aspekt themelor, i cili duhet respektuar. Sidoqoftë, në Argjentinë ka shumë të rinj cilësorë dhe një prej tyre është Romero. Argjentina ka luksin të ketë mbrojtës që di të luajë më këmbë, që shënon, që qëndron i fokusuar dhe që është lider. Personalisht më pëlqen shumë.
Sa peshon për Argjentinë mungesa e Lautaros?
Shumë, shumë. E rëndon vërtet mbi të, sepse ai ndjen thellësisht angazhimin e tij ndaj kombëtares. Ai do të kishte dashur të luante kundër Uruguait, si dhe ndaj Brazilit, një klasike e Kupës së Botës. Lëndimet janë pjesë e punës sonë. Erdhi radha e Lautit, për fat nuk është asgjë serioze siç u duk në fillim. Tashmë synimi është ta rikuperojmë atë në fund të sezonit, i cili do të jetë shumë intensiv për Interin. Mes Ligës së Kampionëve, kampionatit, gjysmëfinales së Kupës së Italisë dhe, së fundi, Kupës së Botës për Klube, ka ende shumë ndeshje për të luajtur.
A ka interes për Kastron?
Para së gjithash, Santiago Kastro po bën shumë mirë te Bolonja. Sinqerisht, sa herë që luan, pavarësisht nga golat që mund të shënojë, mund të shihni se është një lojtar shumë i përfshirë. Sot ai është lojtar i Bolonjës, por besoj se talentet e mëdha, veçanërisht lojtarët e rinj që po tregojnë aftësitë e tyre, do të jenë gjithmonë në radarin e klubeve më të mira në botë. Ata janë të rinj, kanë mundësi për rritje. Duke qenë se po flasim për sulmues, shumë klube në nivel ndërkombëtar me siguri do ta ndjekin atë.
Do ta fitoni kampionatin me Interin?
Jemi në garë pasi jemi të parët në kampionat. Napoli është tri pikë pas, Atalanta gjashtë. Fitorja ndaj Atalantës ishte shumë e rëndësishme. Kanë mbetur edhe nëntë ndeshje për të luajtur. Siç ju thashë edhe më parë, përveç kampionatit kemi edhe angazhime të tjera: dy gjysmëfinale të Coppa Italia, dhe jo ndaj kujtdo, por kundër Milanit, rivalit tonë historik. Më pas kemi çerekfinalen e Champions-it kundër Bajernit.
Të gjithë janë gati të vënë bast për Interin kampion…
Faleminderit, faleminderit. Kemi nevojë për tifozë nga e gjithë bota. Dhe ne vërtet shpresojmë se ky është shansi ynë. E dimë që Champions është një turne shumë i vështirë. Ne duhet të përballemi me Bajernin dhe për mua do të jenë dy ndeshje të bukura. Përballë kemi një klub me traditë të madhe, me lojtarë shumë të fortë dhe do të jenë dy ndeshje shumë të balancuara.
REINOLD BAKALLI–PANORAMASPORT.AL