Liverpuli duhet t’i japë Mohamed Salahut atë që dëshiron për ta mbajtur në “Anfield” sezonin e ardhshëm, sipas legjendës së klubit Robi Fauler.
Superylli egjiptian ka tejkaluar Faulerin, duke u bërë golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e klubit, pas vetëm Ian Rashit dhe Roxher Hantit. Megjithatë, 32-vjeçari është në vitin e fundit të kontratës dhe bisedimet për një rinovim kanë ngecur për shkak të kërkesave financiare dhe kohëzgjatjes së marrëveshjes së re. Një situatë e ngjashme është edhe me kapitenin Virxhil van Dajk, ndërsa Trent Aleksander-Arnold pritet të transferohet te Reali i Madridit me parametër zero.
“Si tifoz i Liverpulit, dua që klubi t’i mbajë”, tha Fauler. “
Mendoj se është një situatë e menaxhuar keq nga klubi që e ka lënë të shkojë kaq larg. Por Mo ka qenë i jashtëzakonshëm dhe ka arritur gjëra fenomenale. Ai ka qenë një lojtar i pabesueshëm për Liverpulin edhe këtë sezon. Unë do t’i jepja atij çfarëdo që kërkon, sepse është një lojtar i provuar. Nëse Liverpuli kërkon një zëvendësues, do të kushtojë shumë para për transferimin dhe rrogën e tij. Atëherë, pse të mos ia japin Salahut ato para për dikë që e ka dëshmuar veten? Nuk e di çfarë do të ndodhë, por do të isha i befasuar nëse të tre do të rinovonin dhe po aq i habitur nëse dy prej tyre nuk do ta bënin”.
PANORAMASPORT.AL