Ruben Amorim pati një seancë stërvitore inkurajuese të premten në mëngjes, pasi pesë yje u rikthyen në fushë pas dëmtimeve. Lojtarët e Mançester Junajtid janë rikthyer pas pushimit ndërkombëtar dhe po përgatiten për transfertën e tyre ndaj Notingem Forestit të martën mbrëma.
“Djajtë e Kuq” do të përballen gjithashtu me Mançester Sitin dhe Lionin në fillim të muajit, me Ligën e Europës që duket si e vetmja rrugë për t’u rikthyer në Ligën e Kampioneve. Tre mbrojtësit Ljuk Shou, Herri Meguajër dhe Leni Joro, u panë të gjithë në stërvitje në “Carrington”. Dyshja e portierëve, Alltaj Bajindir dhe Tom Hitën, gjithashtu janë rikthyer.
Shou ka arritur të luajë vetëm tre ndeshje gjatë gjithë sezonit dhe ka kaluar më shumë se një vit që nga aktivizimi i tij i fundit si titullar. Amorim ka nevojë që Shou të rikuperohet plotësisht për t’i dhënë opsione në krahun e majtë dhe si pjesë e skemës me tre lojtarë në prapavijë.
Ndërkohë, Meguajër ka qenë jashtë fushave që nga fillimi i marsit për shkak të një dëmtimi në pulpë dhe u la jashtë nga lista e kombëtares së Anglisë. Joro mungoi në ndeshjen e fundit ndaj Lestërit për shkak të një dëmtimi në këmbë.
PANORAMASPORT.AL