Mançester Siti ka shpenzuar mbi 30 milionë paund për avokatë, për të rrëzuar 115 akuzat e Premier Ligës që rëndojnë mbi ta.“The Sun” ka zbuluar se llogaritë e fundit të kompanisë “City Football Group”, tregojnë se deri në fund të sezonit 2023-24, Siti kishte shpenzuar një total prej 30,596,000 paundësh për tarifat ligjore në luftën kundër krerëve të Premier Ligës mbi shkeljet e dyshuara të rregullave. Kjo shënoi një rritje prej gati 10.7 milionë paundësh nga viti i kaluar, ose 205,000 paund në javë. Shuma e jashtëzakonshme është e barabartë me pagën e Joshko Gvardiolit, një prej 10 lojtarëve më të paguar të kampionëve të Anglisë sezonin e kaluar.
Në dokumentet zyrtare të dorëzuara, “City Football Group” deklaroi se shuma prej 30,596,000 paund tregon koston e deritanishme ligjore të Sitit në betejën e tyre ligjore kundër Premier Ligës. Dhe fatura e këtij sezoni pritet të jetë më e larta ndonjëherë. Kompania “Lord Pannick” raportohet se tarifon rreth 5,000 paund në orë për shërbimet e saj. Duke shpenzuar shuma kaq të mëdha, pronari i Sitit, Sheiku Mansur bin Zajed al-Nahian, vetëm po përmbush premtimin e tij të të bërë kur Siti po luftonte me akuzat financiare të mëparshme të UEFA-s. Në vitin 2020, Sheiku Mansur raportohet se kishte thënë se do të shpenzonte 30 milionë paund për 50 avokatët më të mirë dhe preferonte të padiste UEFA-n për 10 vitet e ardhshme sesa të pranonte ndëshkimin e tyre.
Ky premtim u bë pasi klubi u përjashtua nga Liga e Kampioneve për dy vite dhe u gjobit me 25 milionë paund, pasi u zbulua se kishin fryrë në mënyrë artificiale të ardhurat e tyre nga sponsorët në llogaritë financiare. Megjithatë, disa muaj më vonë, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit Sportiv (KAS) e rrëzoi ndalimin dhe e uli gjobën në 8.9 milionë paund për “mosbashkëpunim” në hetime. Siti mohon çdo shkelje në lidhje me 115 akuzat, por mund të përballet me dënime të rënda nëse akuzat provohen, nga gjoba dhe zbritja e pikëve, deri në rrëzimin nga kategoria me vendimin që pritet të bëhet shumë shpejt publik.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL