Kundër Udinezes ishin 20 minuta drithëruese. Një gjysmë “black out”, një frikë për të mos marrë fitoren, zëvendësime të diskutueshme, një tension i jashtëzakonshëm, që e bëri ndeshjen të çmendur deri në sekondat e fundit dhe përjashtimi me karton të kuq i Simone Inzagit.
TENSION- Kush e di vallë se çfarë ka qarkulluar në mendimet e trajnerit zikaltër në fundin e ndeshjes Inter-Udineze kur skuadra e tij rrezikoi që të hidhte në kosh një ndeshje thuajse perfekte deri në golin e 2-1 nga Solet. Po çfarë ndodhi në 20 minutat e fundit të ndeshjes? Është e vështirë ta kuptosh, imagjino ta shpjegosh. Sepse pas një pjese të parë perfekte dhe pas një gjysmë pjese të dytë në kontroll total, në erën e parë Interi rrezikoi që të flakej tutje ndaj një Udineze që në fakt në pjesën e dytë u fut në fushë me më shumë besim sesa në 45 minutat e para. Por në fakt nuk ishte e rrezikshme dhe në kontrollin e lojës. Për të prishur mendimet e lojtarëve zikaltër mjaftoi goli spektakolar i mbrojtësit francez që futi në diskutim rezultatin e ndeshjes dhe rriti frikën në radhët e zikaltërve.
ZËVENDËSIMET- Dhe situata mund të shpjegohet ndoshta me një fikje psikologjike nga ana e skuadrës, sepse deri në atë moment të besuarit e Inzagit nuk kishin rrezikuar asgjë mbrapa. Por në harkun kohor të pak sekondave, rrezikoi që të pësonte golin e barazimit. Avantazhi i dyfishtë dhe një ndeshje e sigurt deri në minutën e 71-të, bënë që kampionët e Italisë të ulnin disi nivelin e përqendrimit dhe Inzagi provoi që ta shkundte skuadrën me disa zëvendësime. Sigurisht që mendja e trajnerit ishte edhe te kalendari i ngjeshur që e pret Interin në prill mes Serisë A, Kupës së Italisë dhe Champions-it. Kjo ishte një arsye nga lindën zëvendësimet. Por në fakt, ato jo që nuk i dhanë skuadrës një shkundje dhe përmirësim, por e dobësuan në nivelin teknik dhe psikologjik. Korrea nuk pati qasjen e Arnautoviçit, madje ishte fajtor në golin e Udinezes.
Bisek u fut keq në fushë, Barela u sakrifikua duke marrë edhe një karton të rëndë që do ta bëjë të humbasë sfidën ndaj Parmës. Asllani nuk është Çalhanoglu. Por problemi, përtej anës teknike, ishte psikologjik. Sepse edhe vetë Inzagi u shfaq shumë nervoz dhe hera-herës i paaftë që të këshillonte lojtarët e tij se si të menaxhonin një moment kaq të vështirë. Aq sa në fundin e ndeshjes, pasi ishte ndëshkuar me të verdhë, mori edhe kartonin e kuq. Protestat ishin të ekzagjeruara edhe pse momenti ishte i vështirë. Një gjysmë ore lojë prej një Interi të çmendur, nuk e fshin ndeshjen e kënaqshme për 70 minuta. Por nga tani dhe tutje, në derbin e Kupës së Italisë dhe në çerekfinalet e Champions-it kundër Bajernit, 20 minuta të tilla mund të kushtojnë shtrenjtë për të gjithë sezonin.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL